Kur Italia po përballët me koronavirusin, i cili ka shkaktuar deri më tani 11 viktima, në Kosovë tre rastet e dyshuara rezultuan negativ. Në laboratorët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik tre mostrat e pacientëve iu nënshtruan analizës.
Ndërkohë vetëm gjatë ditës së djeshme në Infektiven e QKUK-së kanë qenë katër pacientë, rezultatet për të cilët rezultuan negativ. Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës ka filluar përgatitjet për mbrojtje nga koronavirusi. Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse tashmë ka bërë gati listën për furnizim me produkte që parandalojnë përhapjen e koronavirusit.
Pjesë e këtij komitetit janë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë, Policia e Kosovës si dhe Klinika Infektive dhe zyrtarët e Doganës.