Një aksion i madh i policisë ka përfunduar me arrestimin e 35 personave, ndër ta katër shqiptarë, me akuzën e pjesëmarrjes në organizata kriminale, trafikimit të drogës, plagosje, grabitje, dhe mbajtje e shitje armësh.
Hetimet kanë nisur më 2017 dhe që atëherë janë sekuestruar rreth pesë kile kokainë e 80 kile hashash, me një xhiro vjetore rreth 2.5 milionë euro.
Droga importohej nga Holanda për të furnizuar shumë klientë, midis tyre një trafikant të njohur në Breshia. Policia e Breshias ka ekzekutuar mandat arrestet për 35 persona, ndërkohë që për operacionin kanë qenë të interesuara edhe grupet e gatshme të Alessandrias, Comos, Monzas, Brianzas, Pavias, Ferraras e Veronës, si dhe policitë belge, shqiptare, gjermane, spanjolle e rumune, të koordinuara nga shërbimi i bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë.
Hetimet fillimisht nisën për disa afrikanoveriorë për shitje të sasive të konsiderueshme të hashashit e më pas çuan te katër shtetas shqiptarë dhe një rumune, të cilët importonin nga Holanda sasi të mëdha kokaine. Grupi e fshihte drogën në tavanin e një lavanderie në Rovato (Breshia) dhe që aty furnizonte shitësit e rrugës.
Gjatë hetimit, policët kanë dokumentuar disa shitje droge, në një rast edhe sasinë katër kile me pagesë 130 mijë euro. Njërit prej të arrestuarve i është gjetur një pushkë e dy pistoleta.
Hetuesit kanë dokumentuar edhe disa episode të dhunshëm të të hetuarve, si rrahje me shkopinj e shifra hekuri, agresione me amoniak e thika, deri në përdorimin e armëve. Midis të arrestuarve ka edhe disa marokenë e italianë.