Ai u detyrua të merrte anën, duke dalë në mbrojtje të nënës së tij, e dhunuar verbalisht dhe fizikisht nga babai. Por prindi në zemërim e sipër e goditi edhe atë, duke i thyer hundën.
Ngjarja është regjistruar në Riçione të Italisë dhe protagonist është një baba i dhunshëm nga Shqipëria. Ai ishte një personazh i njohur për policinë. Kjo e fundit mbërriti në banesë pasi ishte telefonuar nga gruaja. Karabinerët e arrestuan babain e dhunshëm, i cili akuzohet për dhunë në familje.
Policia thotë se ky nuk ishte një episod i rastit. Shqiptari e humbiste shpesh durimin dhe bëhej i dhunshëm për çështje krejt të kota. Si gjithmonë shënjestra e tij ishte gruaja. Por herën e fundit, djali nuk duroi dhe hyri në mes. Reagimi i 50-vjeçarit nuk vonoi. Ai u përlesh me të birin dhe në një moment e goditi duke i thyer hundën. Djali u shtrua në spital.
Të martën ai u paraqit në gjykatë, e cila kërkoi që ai të hetohet në liri. Gjithmonë me shpresën se nuk do të dhunojë sërish njerëzit e tij deri në përfundim të gjykimit.