Luca Di Nicola ishte një 19-vjeçar me origjinë nga provinca e Teramos në Itali, i cili vdiq në 24 mars në Londër. Shkak i vdekjes dyshohet të jetë bërë koronavirusi, por nuk iu krye asnjë tampon.
Ai jetonte bashkë me nënë e tij, Clarissa dhe partnerin e saj, Vincenzo në veri të Londrës dhe kishte kërkuar vetë ndihma nga mjekët. Giada, një nga tezet e Lucës tregoi se në fillim u dyshua se ai kishte thjesht një grip të zakonshëm.
“Ai ishte shumë i shëndetshëm. Një javë para vdekjes së tij, Luca kishte ethe dhe kollë dhe të njëjtat simptoma kishin edhe kunata ime Clarissa dhe partneri i saj Vincenzo që jetonin në të njëjtën shtëpi. Dukej si grip: mjeku në Londër i dha nipit tim paracetamol. Por Luca u përkeqësua në 23 mars. Doktori e vizitoi atë në shtëpi dhe i tha që ishte i ri, i fortë dhe se ai nuk kishte pse të shqetësohej për atë grip të keq.”
Të nesërmen, situata u përkeqësua.
“Luca kishte dhimbje gjoksi. Buzët e tij morën një ngjyrë të purpurt. Ata thirrën ambulancën, e intubuan dhe menjëherë e pranuan në kujdes intensiv në Spitalin North Middlesex në Londër. Por pas gjysmë ore, rreth orës 7 të mbrëmjes, Luca vdiq.”
Nëse Luca vdiq nga koronavirusi, ky është vetëm një dyshim. Tezja tjetër e 19-vjeçarit, Romina, thotë se autoritetet kanë kërkuar që t’i bëhet një tampon pas vdekjes.
“Ne nuk dimë asgjë, madje as se ku do ta çojmë trupin e tij, pasi askush nuk e ka parë Lucën që nga ajo mbrëmje e mallkuar. Tani jemi të shqetësuar edhe për mamin dhe partnerin e saj sepse ato vazhdojnë të kenë të njëjtat simptoma si Luca.”