Nga Kastriot Dervishi
Të rinj shkodranë dhe një profesor i tyre i liceut u arrestuan nën akuza politike dhe u nxorën në gjyq për t’u dënuar me heqje lirie. Të gjithë në moshë të re, ata ishin me më shumë arsim se gjithë trupa gjykuese, hetuesit e prokurori që mbrojti në gjyq akuzën. Të rinjtë akuzoheshin se “kishin krijuar grupe kundërshtare në lice, kanë bërë propagandë me gojë dhe me shty, kanë folur kudo që u binte rasti kundër pushtetit dhe udhëheqësve, kanë kritikuar reformat, kanë komentuar jo drejt situatën në favor të kampit imperialist, kanë agjituar me studentë për sabotimin e konferencave, punës vullnetare, etj”. Gjykoheshin në bazë të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet kondra popullit e shtetit”. Përgjithësisht ata nuk i pranuan akuzat, duke thënë se procesi ishte formësuar prej Sigurimit. Me kërkesë të prokurorit, “për interesa të Sigurimit të Shtetit”, gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura. Gjykimi filloi më 20.6.1949. Në fillim prokurori ngre çështjen e Kosovës. Prokurori i konsideroi se të kërkoje çështje e Kosovës si të pandehurit ishte “vijë shoviniste”. Shumica e liceistëve ishin arrestuar kur marrëdhëniet me Jugosllavinë ishin të mira. Të tjerë kur ishin keqësuar, e tani që po dënoheshin, regjimi e kishte lëmsh fare këtë çështje.
Çështja u gjykuar nga Gjykata Ushtarake e Tiranës e vendosur në Tiranë e përbërë nga kapiten I Vangjel Kocani, toger AliVadresha dhe kapter Ali Tirana. Prokuror ishte Namik Qemali.
Prokurori Namik QemalAhmetaj i vitlindjes 1922 ishte nga Progonati i Tepelenës, Me 5 klasë fillore, deri në vitin 1943 kishte qenë anëtar i Partisë Fashiste. Më pas ishte bërë anëtar i Partisë Komuniste. Në fazën e hetimit të pranishëm ishin edhe prokurori Qemal Llazani, hetues Ali Xhunga e Vehbi Fishta, asistues Haki Keta.
Me vendimin nr.103, datë 24.6.1949 të Gjykatës Ushtarake të Tiranës me veprim në Shkodër, u dhanë këto dënime me burgim e punë të detyruar:
-Thabit Rusi, 21 vjeç, arrestuar më 20.11.1947, dënuar me 7 vjet
-Remzi Quku, 18 vjeç, arrestuar më 27.12.1947, dënuar me 10 vjet
-Xhevat Quku, 20 vjeç, arrestuar më 28.12.1947, dënuar me 12 vjet
-Ahmet Bushati, 20 vjeç, arrestuar më 20.1.1948, dënuar me 7 vjet
-Ernest Perdoda, 19 vjeç, arrestuar më 20.1.1948, dënuar me 8 vjet
-Tomasin Sheldija, arrestuar më 11.9.1948, dënuar me 7 vjet
-Refit Bushati, 20 vjeç, arrestuar më 13.9.1948, dënuar me 7 vjet
-Ruzhdi Çoba, 27 vjeç, arrestuar më 23.10.1948, dënuar me 10 vjet
U la në fuqi me vendimin nr.104, datë 30.9.1949 të Gjykatës së Lartë Ushtarake. Të gjithë të rinjtë u dërguan për vuajtjen e dënimeve në kampet e punës së detyruar të diktaturës komuniste.