Abedin Hoxha, shefi i shërbimit sekret të Zogut, farefisnia me E.Hoxhën dhe vdekja në spitalin e burgut

Tuesday, 25 September 2018 18:52
Abedin Hoxha gjatë hetuesisë në dytë në vitin 1954 Abedin Hoxha gjatë hetuesisë në dytë në vitin 1954

Nga Kastriot Dervishi

Abedin Rasim Hoxha është ndër nëpunësit më të aftë të karrierës të shtetit shqiptar, jeta e të cilit krahas profesionit është e mbushur me plot të fshehta. Kjo sepse ai për 2 vjet ka qenë shef i shërbimit sekret shqiptar, për reagimin e rrallë më 7 prill 1939 kundër pushtimit fashist (i vetmi nënprefekt që dha intervistë agjencive të huaja duke dënuar pushtimin, i cituar edhe nga Radio Parisi dhe nga Radio Londra më 10 prill 1939) si dhe është nga e njëjta familje nga ajo e diktatorit Enver Hoxha. Ai ishte ndër arrestimet e para të regjimit komunist, duke u dënuar me burgim për shkak të nëpunësisë civile në vitin 1944. E gjithë familja e tij kaloi kalvar vuajtjesh, burgimesh e internimesh. Babai Rasimi u dënua me 3 vjet burgim në moshën 67 vjeçare. Vëllai Muhameti vuajti 4 vjet dhe vëllai tjetër ushtarak i lartë Fiqreti vuajti 5 vjet burgim. Bëri përjashtim motra, Shpresa Hoxha, e cila u martua me Myqerem Fugën dhe mbeti komuniste. Në librin e tij “Vite të vegjëlisë” Enver Hoxha e përmend avokatin Rasim Hoxha “nga soji ynë”, pavarësisht se fshin dy emra nga djemtë e tij, Muhametin (ish drejtor i shkollës teknike të Tiranës) dhe Abedin. Madje paratë e para në jetë, Enver Hoxha i ka bërë pikërisht në studion e Rasim Hoxhës. Megjithatë, ndaj kushërinjve të tij, ai u tregua i egër. Abedini mund të fshihte mrekullisht biografinë për shumë vite. Regjimi komunist e kuptoi me shumë vonesë kush ishte Abedin Hoxha, i cili e kishte fshehur faktin e drejtimit të Zyrës Sekrete. Në vitin 1952 e dekonspiroi agjenti “Sinjali”, person i cili kishte shërbyer dikur në vitet 1930-1933 në Zyrën Sekrete dhe atë çast i shërbente Sigurimit. Dy vjet pas kësaj dëshmie Abedin Hoxha arrestohet. Duke vuajtur internimin në kampin e Kuçit, Abedin Hoxha sëmuret dhe dërgohet në spitalin e Tiranës, ku edhe ndërron jetë. U varros në Varrin e Bamin në Tiranë, duke ngelur përjetësisht pa varr pas disa vitesh.

Skeda e jetës së Abedin Hoxhës

U lind më 15 dhjetor 1897 në Gjirokastër

1913 mbaron liceun“Vefa” në Stamboll e një vit në kolegjin gjerman “Gjorg” po në Stamboll.

1914-1915, praktikan në gjyqin civil, Vlorë

1916-1918, sekretar i Nënprefekturës së Lushnjes

1920 (gusht-tetor), sekretar i pasurisë së shtetit në Libofshë

1920 (tetor-dhjetor), arkivist i Kryeministrisë

1920-1922, sekretar i dytë i MPB-së

1922-1925, (përjashto qeverisjen e Nolit) llogaritar i MPB-së

1925-1928, referendar i Këshillit Kontrollues

1928 (janar-gusht), nënprefekt i Bilishtit

1928 (11 gusht)-1930 (10 dhjetor), kryesekretar i Zyrës Sekrete në MPB

1930-1931, nënprefekt në Shijak

1931-1934, nënprefekt në Mallakastër

1934-1936, kryetar i Komunës së Kolonjës

1936 (janar-shtator), nënprefekt i Malësisë së Madhe

1936-1939, nënprefekt i Pogradecit

1940-1941, burgoset si antifashist në Berat, Tiranë e Bari Itali

1941, nëpunës në Komisariatin e Kosovës

1944 (shkurt-prill), drejtor i personelit në MPB-së

1944 (prill-tetor), sekretar i përgjithshëm i MPB-së

1944-1947, i burgosur politik

1947, llogaritar në shtypshkronjën e rinisë në Tiranë

1947-1948, vijon punën llogaritar në NISH Vaji Tiranë

1948- prill 1949, si dhe më 1953-1954 shef i llogarisë në ndërmarrjen e duhanit Elbasanit

1949-1952 llogaritar në ndërmarrjen shtetërore të duhanit në Durrës

1954 (1 korrik), arrestohet në Elbasan 

1954-1955 internohet në Kampin nr.2 Shtyllas

1955-1956 internohet në Kampin nr.5 Kuç

1956 (data e saktë nuk dihet), sëmuret në Kuç, vdes në Tiranë në spitalin e burgut

Modifikuar më Tuesday, 25 September 2018 18:56
Login to post comments