Nga Kastriot Dervishi
Ilia Therecka, lindur në Berat më 15.2.1935, është ndër të dënuarit që u burgos qysh në moshë të re. U dënua dy herë. Mundi të realizojë arratisje, por u kthye nga jugosllavët në vitin 1967.
-Periudha e vuajtjes së burgimit:
1952-1965, 13 vjet, 15 ditë
1967-1989, 21 vjet, 7 muaj, 18 ditë
-Mosha në fillim të dënimit: 17 vjeç
-Mosha në mbarim të dënimit: 54 vjeç
Dënimi i parë
Ishin tre shokë gjimnazistë në Gjirokastër, Ilia Therecka, Thanas Dhespo (nga Zheji i Gjirokastrës) dhe Bajram Mesi (nga Shkodra) të cilët u arrestuan më 16.1.1952. Akuzoheshin si pjesëtarë të një grupi armiqësor, kundërrevolucionar, që agjitonin kundër pushtetit, si dhe për akte diversioni apo vendime kundër udhëheqjes. Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës me vendimin nr.34, datë 20.6.1952 në bazë të ligjit nr.372, datë 12.11.1946 i deklaroi fajtorë, duke i dënuar dy të parët me nga 20 vjet burgim dhe të tretin me 12 vjet. Gjykata e cilësonte “grup kriminal” në një kohë që vetëm 3-4 takime kishin bërë e asnjë veprim konkret. U ligjërua me vendimin nr.358, datë 31.7.1952 të Gjykatës së Lartë. Bajram Mesi u lirua nga reparti nr.309 Laç më 20.2.1961. Ilia Therecka u lirua më 31.1.1965. Thanas Dhespo u lirua nga reparti nr.309 Elbasan më 6.11.1965. Ilia mund të jetë i lirë vetëm 2 vjet e gjysmë.
Dënimi i dytë
Dy vjet e gjysmë pas daljes nga burgu, Ilia Therecka së bashku me Luftar Çalën u orvatën të arratiseshin. Të dy kishin qenë punëtorë në NSHN (Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimit) Berat. Në maj 1967, Luftari pushohet nga puna dhe i kërkohet të largohet nga qyteti për në kooperativë bujqësore. Në këto rrethana, të dy u arratisen nga Shqipëria më 13.6.1967 nëpërmjet Jugosllavisë. Katër ditë më vonë, me kërkesë të organeve shqiptare, autoritetet jugosllave i kthyen dy të arratisurit në postën kufitare të Morinës. Kësisoj ata u arrestuan më 17.6.1967.
Me vendimin nr.8, datë 6.10.1967, Gjykata e Qarkut Vlorë e dënoi IliaThereckën në bazë të nenit 64/14 të Kodit Penal me vdekje, me pushkatim, ndërsa shokun e tij me 20 vjet burgim. Të dyve iu konfiskohej pasuria. Vendimi u ndryshua nga Gjykata e Lartë me vendimin nr.182, datë 21.10.1967, nga me vdekje në me 25 vjet heqje lirie. Luftar Çala u lirua nga burgu në vitin 1986. Ilia Therecka u lirua më 4.2.1989. Një jetë e mundimshme në kampe e burgje.