Nga Kastriot Dervishi
Qerrja është një mjet i vjetër transporti që përdoret në bujqësinë primitive. Për të mbajtur qerret duhet të kesh patjetër qe (dema të lodhur në prag të fundit të jetës). Në vitin 1980 Shqipëria kishte 17 mijë qerre. Pretendohej që ky numër të shkonte në 30 mijë, por në plan ishte që shifra të shkonte në 45 mijë. Mbledhja e Byrosë Politike e datës 25.2.1980, diskutim për projektplanin për zhvillimin ekonomik e kulturor të vendit për vitet 1985-1989. Shihni si diskuton i gjithëdituri mbi problemin e qerreve. Pavarësisht se Shqipëria prodhoi traktorin e viteve ’30, me kosto të llahtarshme financiare, dashuria për qerret në bujqësi nuk harrohej kollaj. Një debat zhvillohet midis të gjithëditurit dhe ministres së Bujqësisë Themie Thomai. Në vargun e veprave që ka lënë Enver Hoxha për naftën, bujqësinë, industrinë, kulturën, shkollën, etj, është harruar një vepër për qerret.
Ekstrakt nga biseda
Shoku Enver Hoxha: Mirë, tjetër kush ka për të folur?
Shoqja Themie Thomai: Pyetja e parë është për plotësimin e nevojave me qerre për transport, sa është numri i tyre tani dhe sa do të vejë. Në raport thuhet se do të vejë 30 mijë, kurse sot kemi 17 mijë. Ne e kemi bërë studimin në bashkëpunim dhe me shokët e Komisionit të Planit të Shtetit dhe për prodhimin e tyre, do të parashihet edhe baza e nevojshme materiale.
Shoku Enver Hoxha: Sa krerë që keni?
Shoqja Themie Thomai: Kemi 90 mijë krerë.
Shoku Enver Hoxha: Si do të arrijmë në 30 mijë qerre, me se do t’i tërheqim këto?
Shoqja Themie Thomai: Si plan kemi 45 mijë qerre.
Shoku Enver Hoxha: Qerret do t’i tërheqin qetë, se po nuk patëm qe, nuk kemi se si t’i tërheqim qerret!
Shoqja Themie Thomai: Nga 17 mijë qerre që kemi sot, numri i tyre do të rritet në 30 mijë.
Shoku Enver Hoxha: Kjo duhet të kombinohet me numrin e qeve.
Shoqja Themie Thomai: Qetë i përdorim dhe në procese pune të tjera p.sh. në kultivimin.