Nga Kastriot Dervishi
Gjatë ditëve që po luftonin për të kontrolluar kryeqytetin, në bazë të listave të vdekjes që kishte çdo komitet qarkor, komunistët vranë elementin e parë të përzgjedhur jokomunist. Ky operacion ishte edhe më i rëndësishëm për ta sesa vetë largimi i ushtrisë naziste. Me anën operacionale të luftës së Tiranës u mor majori jugosllav Vojo Totodoroviçi. Emri i tij gjendet në telegramin e datës 30.10.1944, porse në botimet e vitit 1966 me dokumente të shtabit, dy rreshtat janë hequr nga origjinali. Për këtë masakër, në plenumin e dytë të PKSH-së, zhvilluar në Berat më 23-27 nëntor 1944, po citojmë dy raste.
Gogo Nushi ndër të tjera thotë:
“Këto gjëra duhet t’i diskutonin mirë këtu. Këtë shpirt kriminaliteti e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona në Tiranë, janë vrarë 60 veta, e kemi dhe listën e tyre. Unë i njoh këta emra dhe asnjë prej tyre s’e meritonte të vritej. Kjo është konsekuencë e vijës sonë. Jemi të sigurt që do të ketë edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar të 100 vetët. Kjo do të na sjelle dëme të mëdha”.
Çuditërisht edhe vetë Enver Hoxha deklaron:
“Po vriten në Tiranë me duzina njerëz e oficerë të dorës së dytë, të cilët, duke pasur besim të plotë në drejtësinë tonë e në shpalljen, dorëzohen. Një punë e tillë s’është okazoniale, por është i tëri toni që i është dhënë punës organizative të partisë, ushtrisë. Jo vetëm te ushtari i thjeshtë, por edhe te anëtari i partisë, ka humbur zemra e vërtetë e komunistit, e atij njeriu që i dhimbset jeta e tjetrit, që mendon më shumë për të zhdukur një njeri që mund të ndreqet dhe mund t’i shërbejë vendit. Jo, shokët e kanë humbur këtë gjë e në radhë të parë, udhëheqësit e përmbi ta, anëtarët e Komitetit Qendror. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit, të zhdukin anëtarët e partisë, kokat e të cilëve bien pa i peshuar mirë”.