Nga Kastriot Dervishi
Nga niveli i inteligjencës, oficerët e Sigurimit të Shtetit, renditeshin në shtresat më fundore të popullsisë. Ajo çka ata kanë lënë në letra e tregon fare mirë këtë. Partia i përzgjidhte nisur nga kriteri biografik, e kësisoj vilte ushtarë besnikë, por kurrsesi njerëz të ditur. Edhe në ndryshimet e mëdha në lindjen komuniste, e rrjedhimisht ato në Shqipëri, të fundit që mund t’i kuptonin ngjarjet ishin oficerët e Sigurimit, ata që partia i konsideronte “thjesht punëtorë partie”.
Një ilustrim historik. Plani i masave ndaj të personi në përpunim aktiv, gjoja si “agjent i UDB-së” (vetëm për këtë nuk gjen asgjë), parashikonte vijën e sjelljes së ish agjentit “Tigri”, i cili duhej të mësonte nga i ndjekuri se çfarë mendonte ai për tufëzimin e bagëtive e veçanërisht të lopëve. Procesi në fjalë kishte ndodhur para vitit 1987, por meqë subjekti kish qenë në burg, kërkohej të dihej opinioni i tij. Se si mund të ishte ndryshe mendimi i një njeriu që ka hequr picirin e burgut të vogël e vazhdon ta heqë në burgun e madh, vetëm mediokriteti i oficerëve të Sigurimit mund ta dinte. Shqipëria është krejt origjinale me këtë kategori, krejt e pangjashme me vendet e tjera lindore. Do e konsideroja injorancë apo padije të madhe të konsiderosh Shqipërinë komuniste të njëjtë me regjimin në Republikën Demokratike Gjermane. Përveçse nuk ka asnjë ngjashmëri, emetimi i kësaj teze, nuk bën gjë tjetër, por vetëm një keqedukim të brezave të sotëm.