Vlonjati që u dënua 4 herë dhe vuajti 31 vjet e 3 muaj burgim komunist

Diel, 16 December 2018 17:39
Fleta e lirimit nga kampi i punës së detyruar i Spaçit, në vitin 1973 Fleta e lirimit nga kampi i punës së detyruar i Spaçit, në vitin 1973

Nga Kastriot Dervishi

Në listën e personave që kanë vuajtur burgime të gjata në diktaturën komuniste, gjendet edhe emri i Kujtim Pelajt. Lindur në Vlorë në vitin 1924, nisi dënimet qysh në vitin e parë të regjimit komunist. I evidentuar si “element armik”, u dënua me akuza të ndryshme, dy herë madje për tentativa arratisje shumë larg kufirit.

-Periudha e vuajtjes së burgimit:

1945-1946, 1 vjet, 3 muaj, 12 ditë

1949-1954, 5vjet

1957-1973, 15 vjet e 8 muaj, 18 ditë

1978-1988, 9 vjet 3 muaj

-Mosha në fillim të dënimit: 21 vjeç

-Mosha në mbarim të dënimit: 64 vjeç

Dënimi i parë

U arrestua fillimisht më 30.5.1945. Akuzohej si pjesëtar i formacioneve të Hysni Demës dhe Atif Goljes. Për këtë pjesëmarrje si roje i thjeshtë, Gjykata Ushtarake e Krahinës ushtarake të Korparmatës së 1-rë, e deklaroi fajtor dhe në bazë të nenit 41 e dënoi me 5 vjet burgim. Ky dënim nuk zgjati shumë, pavarësisht se akuzat ishin të rënda. U lirua më 12.10.1946 .

Dënimi i dytë

Duke qenë ndihmësshofer në Vlorë, u arrestua sërish më 22.11.1949. Në dokumente thuhet se së bashku me një person tjetër, i cili nuk u arrestua e mundet ta ketë kallëzuar, është orvatur të arratisen nga Shkodra në Jugosllavi. Të dy kanë qëndruar në Pukë dhe janë kthyer në Tiranë. pavarësisht se nuk ndodhi asnjë arratisje, është arrestuar për tentativë arratisje. U gjykua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës. U konsiderua “armik i popullit shqiptar”dhe në bazë të ligjit nr.372, me vendimin nr.275, datë 16.61950 u dënua me 6 vjet burgim. U la në fuqi me vendimin nr.236, datë 2.12.1950 të Gjykatës së Lartë Ushtarake. U lirua pas 5 vjetësh, më 21.11.1954.

Dënimi i tretë

Sipas dokumenteve të dënimit thuhet gjatë vitit 1957 ai ka dashur të arratiset me disa persona në Greqi dhe ka biseduar me ta. Nuk rezulton të jetë nisur apo të ketë konsumuar përpjekjen. Arrestohet sërish në Vlorë më 12.7.1957. Një dëshmitar deklaronte se Kujtimi “nuk e shikonte mirë shtypin tonë”, se kish thënë se “në Greqi jetohej mirë”, etj. U gjykua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës me funksion në Vlorë. Gjykata e deklaroi fajtor në bazë të nenit 64/10 të Kodit Penal e dënoi me 20 vjet burgim e konfiskim të pasurisë. U la në fuqi nga Gjykata e Lartë. U lirua nga kampi nr.303 i Spaçit më 30.9.1973.

Dënimi i katërt

Pak vjet pas daljes nga burgimi i tretë, Kujtimi u arrestua sërish, madje ditën e themelimit të Partisë, më 8.11.1978. Ishte punëtor në Himarë kur ndodhi arrestimi i fundit. Këtë herë akuzohej në bazë të nenit 55, për agjitacion e propagandë. Në proces i kujtohen të gjitha dënimet e mëparshme. Çështja u gjykua në Gjykatën e Rrethit Vlorë. Gjykata e konsideroi fajtor me vendimin nr.122, datë 13.6.1979 e dënoi me 10 vjet burgim . U lirua nga burgimi më 8.2.1988.

Login to post comments