1984/Edmond Caja në gjyq për herë të fundit me armiqtë e tij

Tuesday, 18 December 2018 18:23
Kampi i Qafë-Barit dhe procesverbali i gjykatës Kampi i Qafë-Barit dhe procesverbali i gjykatës

Nga Kastriot Dervishi

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e zhvilloi gjykimin në Pukë për dënimin e 12 të pandehurve për pjesëmarrjen në revoltën e Qafë-Barit. Me vendimin nr.3, datë 3.6.1984, kjo gjykatë e përbërë nga Lili Robo (kryesues) e ndihmësgjyqtarët Sherif Mehmeti e Stak Gjoni, duke pasur pranë prokurorin Skënder Breca, dha dy dënime me vdekje (Sokol Sokoli e Tom Ndoja) dhe burgime për 10 të tjerët. Gjykata arsyetonte se ngjarja e 22 majit 1984 nuk ishte rastësore, por e menduar, me synim minimin e dobësimin e “pushtetit popullor”. Gjatë gjykimit, ishte hera e fundit që Edmond Caja u përball me të revoltuarit. Në gjykatë ai paraqitet si polic. Dëshmia e tij e gjatë, rrëzohet nga të pandehurit. Paraqesim një pjesë të saj.

Pjesë nga debati në gjykatë

Edmond Caja: Na janë afruar Sokol Sokoli dhe të pandehurit e tjerë, Lazri na ka gjuajtur me stol, Vllasi me patericë, e ka thyer atë dhe donte me i nxjerrë sytë shokëve. Ja ka marrë patericën Bajrami dhe ky ka goditë policët. Sokol Sokoli bëri sulm kundër komandantit të repartit. Pastaj ka godit Simonin që ishte polic, e ka gjakosur atë. Sokol Progrin e kam parë me një dru në dorë duke u mat me na goditë ne policëve. Haxhija me thikë me dy presa sa doli si gjarpër dhe deshi me na goditë. Tom Ndoja edhe ishte i dënuar dhe ne e lamë me dalë nga menca. Të dënuarit thonin fjalë të ndyra për ne policët dhe thonin “jashtë policët”. Tom Ndoja qëllonte me gurë në dorë dhe i thoshte Ismaili hajde se unë do të shkëlqej ty me këto gurë. Edhe mua më ka drejtuar gurin. Kemi realizuar tërheqjen se të pandehurit ishin egërsuar shumë kundër nesh, si dhe na bërë thirrje për tërheqje edhe kryetari i Degës (së Punëve të Brendshme). Të pandehurit kanë qenë të pajisur me tulla me gurë, me leva hekuri. Të pandehurit na kanë gjuajtur me gurë. Kam parë që Martin Leka ka kapur instruktorin politik dhe Haxhiu ka therë me thikë në bark atë. Të pandehurit na kanë goditur me gurë të mëdhenj. Me Kostandin ka qenë edhe Martini, edhe Tom Ndoja. Vllasi ka thënë “Viva Italia”. Ka pas edhe parulla armiqësore (si) “Poshtë udhëheqësi i partisë dhe i shtetit” nja dy herë, po se nga kush nuk kam qenë në gjendje. Më është fiksuar Kostandin Gjordeni se ka qenë tepër aktiv gjatë përleshjes. Kanë ardhur 3-4 metra larg për të, të tjerët kanë qenë 20 metra duke zbritur e duke u sulur si Ndue Progri. Na kanë qëlluar me gurë që të gjithë këta të dënuar. Veç të pandehurit këtu, ka pasur edhe të tjerë si Dedë Martini, etj. Pastaj janë shkëputë. Veprimi i të pandehurve nuk ka qenë spontan, levat e hekurit i kanë nxjerrë nga toka të dënuarit, dy sokolët kanë qenë më aktivë se të tjerët. Sokol Progri ka thënë llafe për mua se në galeri do më zhdukin tropojanët. Në fakt edhe të dënuarit e tjerë i kam nxjerrë të punojnë dhe nuk kam parë shqetësime. Instruktori politik u godit me thikë në bark...prej Haxhiut. Kujtimi ka pas gërvishtje me thikë. Janë goditur polic Simoni, Rizai, Fiqiria, Myzafer Luta kryesisht, janë goditë me gurë. Sokol Sokoli e Sokol Progni, gjithmonë elementë të rinj në moshë të vogël i kanë tërheqë pas vetes dhe me këto zinin shoqëri. Ndrek Nikolla tha nuk dal në punë dhe po futem në dhomë të izolimit. Ndue Pisha ka dashtë me dalë në punë dhe Sokol Sokol e Martin Leka i kanë thonë se po doli në punë do ta bëjnë copa-copa mishin.

Sokol Sokoli: Nuk jam dakord me fjalët e dëshmitarit Edmond, se ai nuk thotë të vërtetën këtu para gjyqit. Nuk i jam vërsulur ndokujt.

Sokol Progri: Nuk jam dakord me fjalët e dëshmitarit Edmond, se ai në fakt nuk po flet të vërtetën. (Edmond Caja ndërhyn dhe thotë se Ndue Pisha ka pasur në dorë një kaci).

Haxhi Baçinovski: Nuk jam dakord me fjalët e Edmondit.

Vllas Koçi: Nuk jam dakord me fjalët e Edmondit.

Kostandin Gjordeni:  Nuk jam dakord me fjalët e Edmondit.

Martin Leka: Nuk jam dakord me fjalët e dëshmitarit Edmond. Nuk kam thënë se do bëhet skandal. Nuk më ka thënë kush nga komanda me më autorizojë që t’i mësoj të dënuarit se si me u sjellë. Kur ka ndodhur plasja e armës unë kam qenë duke ardhur prej infermierisë.

(Dëshmitari Edmond mohon)

Login to post comments