Nga Kastriot Dervishi
Në Parlamentin e Shqipërisë problemi i varrit të Ismail Qemal Vlorës u ngrit në fund të vitit 1931. Më mbledhjen e datës 11 dhjetor 1931, deputeti Petro Poga tha se kishte vizituar varrin së bashku me kolegun e tij Ibrahim Xhindi dhe ishte befasuar nga ajo çfarë i shihnin sytë. Deputeti Abdurrahman Salihu tha se për zhvendosjen e eshtrave nga Kanina në Vlorë, Mbreti Zog kishte paguar shumën e 1 mijë frangave ar.
Revista “Minerva” shkruan më 8 janarit 1932 në faqe të parë të saj se ishte “zbuluar” varri i Ismail Qemalit, duke dhënë një dëshmi se gati konsiderohej i harruar. Shteti mori përsipër organizimin e ceremonisë zyrtare. Parlamenti zgjodhi si përfaqësues të tij deputetët Eshref Frashëri dhe Zoi Xoxa. Mbreti Zog caktoi përfaqësues gjeneralin Leon de Gilhardi. Qeveria caktoi ministrat Milto Tutulani dhe Hilë Mosi.
Ceremonitë u zhvilluan më 28 nëntor 1932, me rastin e 20-vjetorit të pavarësisë. Me flamurin që është ngritur në Vlorë më 28 nëntor 1912, janë bërë fotografitë e rastit. Et’hem Vlora ia dorëzon flamurin prefektit Abedin Nepravishta, ndërsa ky ia jep ministrit të Arsimit, Hilë Mosi, i cili do ta dorëzonte në Muzeun Kombëtar. Në varrin e Ismail Qemal Vlorës, skulptori Odise Paskali kishe skalitur talentin e tij të rrallë.