Nga Kastriot Dervishi
Oficeri me Akademi Ushtarake, Zef Cin Ashta, lindur në Shkodër në vitin 1913, u dënua tre herë nga komunistët dhe vdiq në burg në vitin e 30 të vuajtjes së dënimit. Vuajti saktësisht 29 vjet, 5 muaj e 25 ditë. Një jetë e shkruar kot dhe e kaluar me shumë mundime. Pothuaj asnjë ditë e bardhë nga viti 1946 e deri në vdekje në vitin 1979. Një histori nga të shumtat e njerëzve të shkolluar që vuajtën nën një regjim injorantësh.
-Periudha e vuajtjes së burgimit:
1946-1951: 4 vjet, 9 muaj, 4 ditë
1953-1964: 10 vjet, 10 muaj, 19 ditë
1965-1979; 13 vjet, 10 muaj, 2 ditë
-Mosha në fillim të dënimit: 33 vjeç
-Mosha në vdekje: 66 vjeç
***
Dënimi i parë
U arrestua më 26.11.1946. Gjykimi iu bë së bashku me personalitete të tjera që banonin në Shkodër si: Xhemal Naipi, Shaqir Omari, Shefqet Muka, Ismail Muhaj, Bep Negri dhe Nexhat Boriçi. Sulmoheshin me akuza kontradiktore, por themelisht si kundërshtarë të regjimit. Ashta herë fajësohej si ushtarak e herë si anëtar i Ballit Kombëtar. Mbi të rëndonte akuza e stërvitjes së forcave të Ballit Kombëtar që do luftonin “kundra partizanëve të popullit jugosllav”, mbështetur në nenet e ligjit nr.372. U gjykua nga Gjykata Ushtarake e Zonës Ushtarake Shkodër. Me vendimin datës 23.6.1947 gjykata i deklaroi fajtorë dhe fillimisht i dënoi me vdekje (iu kthye dënimi me burgim), ndërsa Z.Ashtën me 10 vjet dhe N.Boriçin 15 vjet burgim. U lirua nga burgu më 30.8.1951.
Dënimi i dytë
Dy vjet pasi ishte liruar nga burgu, u arrestua sërish më 19.3.1953. Akuzohej me nenet 72, 74, 226 të Kodit Penal, se nga viti 1949 kur vuante dënimin, kishte biseduar me persona të tjerë për organizimin e vlefshëm për të ardhmen, duke shtuar radhët e “organizatës fashiste të Ballit Kombëtar”. Veprimtarinë thuhej se kish vazhduar edhe pas daljes nga burgu. Quhej fajtor për dëgjimin e radiove të huaja perëndimore, prej të cilave bënte “propagandë luftë”. Në mënyrë qesharake akuzohej se kjo do i sillte dëme paqes në botë dhe socializmit në përgjithësi. Po ashtu thuhej se kishte marrë një ftesë për t’u arratisur me një shok e këtë nuk e kish denoncuar. Gjykata Popullore e Shkodrës e përbërë me vendimin nr.311, datë datë 26.8.1953, e deklaroi fajtor në bazë të neneve të sipërme dhe e dënoi me 14 vjet burgim. Pasuria nuk i konfiskohej sepse nuk kishte. U lirua më 7.2.1964.
Dënimi i tretë e vdekja në Spaç
Disa muaj pas lirimit nga dënimi i dytë, Zef Ashta u arrestua prapë më 28.7.1965. Akuzohej se së bashku me ish bashkëvuajtësin Gjeto Ramën kishin bërë përpjekje për arratisje, por u kapën nga forcat kufitare në postën e Muriqanit. Gjykata i konsideroi se ishin “elementë me mbeturina të theksuara mikroborgjeze” që “villnin vrer kundër pushtetit popullor”. Vepra e tyre konsiderohej me “rrezikshmëri të madhe shoqërore” sepse “ndihmonte veprimtarinë e armiqve” të jashtëm. Gjykata e Qarkut Shkodër e përbërë, me vendimin nr.30, datë 8.10.1965 i deklaroi fajtorë në bazë të nenit 64/10 të Kodit Penal dhe i dënoi të dy me 17 vjet burgim. Në vitin 1973 Zef Ashta u kërkua të ridënohej në revoltën e Spaçit, por për mungesë provash u lirua nga akuzat. Pas disa vitesh, vdiq në këtë kamp më 5.6.1979.