Nga Kastriot Dervishi
Me anë të një ftese elektronike, ambasadori kinez Zhou Ding dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, lajmëruan festimin më 1 shkurt 2019 të një aktiviteti “kushtuar 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike” midis Kinës që vazhdon të jetë Popullore dhe Shqipërisë që nuk është më Popullore dhe Socialiste, në kuadër të “festivalit të fenerëve kinezë”. Për t’u dukur sa më i përfshirë në këtë ngjarje, Veliaj, i njohur për teatralitetin e tij propagandistik ishte veshur si kinez, ndërsa në sheshin “Skënderbej” na kish vendosur një gjarpër kinez. Pavarësisht faktit se Shqipëria është një vend proamerikan, dashuritë e vjetra komuniste nuk harrohen kollaj. Si është e vërteta? Ky vit është 70-vjetori i revolucionit komunist kinez dhe jo i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë. Në shkurt 1949 Kina ishte e ndarë midis komunistëve të Mao Ce Dunit dhe forcave antikomuniste. Më 1 tetor 1949 komunistët fitues të luftën civile shpallën republikën popullore, ndërsa antikomunistët u zhvendosën në Tajvan dhe Çan Kai Shia u zgjodh president. Mao i qëndronte idesë se revolucioni nuk ishte “mbrëmje festive”, por “mbretërim i terrorit në çdo fushë”. Miliona njerëz vdiqën në shtetin e Maos prej terrorit të tij. Kjo është shkurtimisht historia e luftës civile kineze që përfundoi me fitoren e komunistëve. Nuk ka 70-vjetor të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës. Nuk ishin aq të shpejtë komunistët e Shqipërisë në atë kohë për vendosje marrëdhëniesh me një shtet me shumë probleme në arenën ndërkombëtare, madje edhe në shkurt 1949, kur nuk kish përfunduar lufta ende. Ishte pala kineze që kërkoi në atë kohë vendosjen e marrëdhënieve midis dy vendeve. Më 16.8.1952 ambasadori kinez në Bukuresht njoftoi ministrin shqiptar atje Mursin Kroi se ishte i autorizuar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Më 24.9.1952 nga Tirana vjen përgjigje pozitive, por njëkohësisht me anën e ministrit shqiptar në Moskë, njoftohen (merret leja) edhe sovjetikët. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës nisin në të vërtetë në vitin 1954. Me dekretin nr.1860, datë 26.4.1954 të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Shqipëria emëroi Nesti Nasen ambasador e ministër fuqiplotë në Kinë, si dhe jo rezident në Kore dhe Mongoli, detyrë që ai e mbajti deri më 6.6.1955. Në këtë mënyrë, Bashkia e Tiranës i ofroi popullit të kryeqytetit, solidaritet festimi me “popullin vëlla e heroik kinez”, duke na kujtuar kohën e vjetra të “miqësisë së përjetshme të pathyeshme shqiptaro-kineze” të dy “luanëve” nuk kanë ngordhur tashmë. Nuk besoj se nuk e kuptojnë raportin e sotëm amerikano-kinez dhe vendin ku duhet të jenë shqiptarët.