Nga Kastriot Dervishi
“Salaria nuk e prish kooperativën”-shkruanin kooperativistët e këtij fshati në shkurt 1991. Pavarësisht se kooperativat bujqësore e kishin katandisur fshatarin shqiptar në një varfanjak klasik, të kthyer shekuj pas, indoktinimi komunist ishte aq i thellë saqë nuk iu shqitej. Besonin te Partia e Punës, pavarësisht se ajo nuk kish lënë gjë pa bërë. Letra bën të njohur faktin ata merrnin 12 lekë në ditë (që është shifër e zmadhuar pasi kooperativistët merrnin 2-3 lekë në ditë), ishte baras me tre bukë të zezë qyteti (fshati hante vetëm bukë misri, e një lloji të keq). Fshatarët kishin lexuar programet (!) dhe e kishin gjetur veten te programi i Partisë së Punës. E lexuar sot, letra ka karakter të lartë humori.