Nga Kastriot Dervishi
19-vjeçari Nesti Lazër Murrizi ishte punëtor në uzinën “Drini”. Më 25.5.1990, duke qenë turni i dytë shkruan fletushka me “përmbajtje thellësisht armiqësore” si “Poshtë pushteti”, “Poshtë komunizmi”, “Rroftë populli shqiptar”, “Rroftë liria”. Përmbajtja e këtyre dy të fundit nuk kishte gjë për “armiqësore, për organet e drejtësisë, nuk bënë asnjë dallim, sepse “merrnin tjetër kuptim tjetër”. Krejt origjinale kjo frazë e drejtësisë komuniste. Murrizi u arrestua më 13.9.1990, disa muaj nga hedhja e fletushkave, pas disa krahasimesh të bëra të shkrimit të tij.gati një vit nga rënia e murit të Berlinit, në Shqipëri nuk ndryshonte asgjë. Me vendimin nr.243, datë 12.10.1990 Gjykata e Rrethit Shkodër e deklaroi fajtor në bazë të nenit 55 të Kodit Penal dhe e dënoi me 3 vjet burgim. Vuajti 6 muaj e 7 ditë burgim. Do kish vuajtur më shumë sikur të mos ndodhnin ndryshimet e asaj kohe.
***
Pjesë nga pretenca e prokurores
I pandehuri është sjellë për t’u gjykuar për një vepër me rrezikshmëri të madhe shoqërore, atë të agjitacionit e të propagandës kundër shtetit, që parashikohet nga neni 55/1 i Kodit Penal. Rrezikshmërinë e bën më të theksuar edhe rrethanat, koha e ngjarjes, mënyra e përdorur për të realizuar qëllimin kriminal si dhe motivet që e kanë shtyrë të pandehurin të ndërmarrë një veprimtari të tillë kriminale...Në këtë veprimtari armiqësore, ajo që shqetëson partinë dhe pushtetin e tërë shoqërinë është fakti që i pandehuri është në moshë tepër të re, vetëm 19 vjeç, që është i lindur e i rritur në frymën e kujdesin e partisë sonë dhe që jeton ditë të lumtura, që s’kanë të krahasuar me jetën e para çlirimit të vendit,... i pandehuri është brumosur me një ideologji të huaj që e ka çuar atë deri në veprimtari armiqësore ndaj shtetit. Dhe pikërisht në një kohë që mbarë rinia e vendit tonë është hedhur në aksion dhe tejkalon normat e detyrat, për të vënë në jetë vendimet e plenumeve të fundit të KQ të PPSH-së që kanë për qëllim rritjen e mirëqenies së popullit, i pandehuri...bën përjashtim nga ky realitet i shkëlqyer, por me veprimet e tij të kundërligjshme, i është kundërvënë këtyre vendimeve të rëndësishme të partisë e të shtetit. ...Edhe shprehjet e tjera “Rroftë populli shqiptar”, “Rroftë liria”, ndonëse në vështrim të parë duken normale, nga mënyra e të shkruarit që vijnë pas shprehjeve “Poshtë komunizmi” dhe“Poshtë pushteti”, marrin një kuptim tjetër, armiqësor.