Nga Kastriot Dervishi
Në kuadër të vizitës në Kinë, Hysni Kapo, Beqir Balluku, Hito Çako, Vasil Nathanaili dhe Behar Shtylla u pritën nga Mao Ce Duni më 3.2.1967 në sallën nr.118 të Asamblesë Popullore. Takimi me Maon ka gjëra të përgjithshme, por u fol për demaskimin e mjaft komunistëve në PKK, sipas 4 niveleve. Mao tha se nuk i pëlqenin epitete të tilla si “timonier, mësues, strateg, udhëheqës i madh”, por nuk kishte çfarë të bënte (a thua nuk i ndalonte dot). Ai kishte qenë një mësues filloreje dhe pëlqente të mbetej i tillë. Një ndër pjesët më interesante të takimit ishte ajo në lidhje me arsimin e shokëve shqiptarë. Duke qenë se ata ishin të sajuar për të drejtuar, por revolucionarë, biseda me shokët shqiptarë bëhet shumë e këndshme dhe interesante.
Pjesë nga biseda
Kryetari Mao: Më kanë vënë dhe disa epitete, si p.sh. mësues i madh, udhëheqës i madh, strateg i madh dhe timonier i madh. Mua nuk më pëlqejnë. Por s’kam ç’të bëj. Kudo po veprohet kështu. Ka njerëz që propozojnë se të mbetet vetëm epiteti “mësues”. Unë kam qenë mësues në shkollën fillore, sa mirë që të jem mësues i thjeshtë. Sa për profesion, nuk bëhet fjalë. Unë nuk kam ndjekur universitetin, ju a keni bërë studime në universitet?
Shoku Hysni: Asnjë.
Kryetari Mao: Po ju (duke iu drejtuar shokut Beqir Balluku)?
Shoku Beqir: As unë.
Kryetari Mao: As ju (duke iu drejtuar shokut Hysni Kapo)?
Shoku Hysni: Kam ndjekur vetëm shkollën e mesme.
Kryetari Mao: Marksi ka qenë universitar, Lenini gjithashtu. Stalini ka mbaruar shkollën e mesme, edhe unë po ashtu. Unë dyshoj në një pjesë të mirë të universitarëve, sidomos ata që kanë studiuar shkencën shoqërore. Këta njerëz po të mos edukohen, po të mos kryhet revolucioni kulturor, janë shumë të rrezikshëm këta njerëz do të bëhen revizionistë në të ardhmen. Ata që kanë studiuar letërsi, nuk shkruajnë dot romanin, as poezi. Ata që kanë studiuar filozofi nuk mund të shkruajnë artikuj filozofikë, as nuk mund të shpjegojnë fenomene shoqërore. Mësimet politike dhe juridike që kanë ndjekur ata janë të gjitha mallra të borgjezisë. Te ne nuk ka dalë ndonjë tekst mësimor. Edhe ata që kanë studiuar ekonominë. Ka shumë elemente revizioniste. Por tani kemi disa shpresa se po bëhet luftë e ashpër.
Shoku Beqir: E ashpër, por është e mirë, është më mirë të bëhet një spastrim.
Shoku Hysni: Mbasi të mobilizohet popullit, të gjithë mund të spastrohen. Megjithatë pak kemi parë ndoshta, por kemi këtë përshtypje: i gjithë populli kinez është ngritur në këmbë.