Nga Kastriot Dervishi
Shtatë dekorata mbante në gjoks për urrejtjen ndaj “armikut”. Ishte kulturalisht i dobët. Mbante e torturonte njerëz të shkolluar. Në vende të vuajtjes ekstreme njerëzore.Në Maliq në vitet 1947 u ngritën tre kampe të tmerrshme: Vloçisht, Orman Pojan dhe Nizhavec (sot Vreshtas). Me përjashtim të kampit të fundit që u formua në vitin 1951, dy kampet e para kanë qenë sezonale dhe furnizoheshin me të burgosur nga burgjet e vendit. Në këto kampe të tmerrshme vuante një dënim të rëndë gjithë inteligjencia e Shqipërisë, e shkolluar në universitetet më të mira të Europës. Gjeje aty inxhinierë, nëpunës, profesorë, klerikë, etj. Në plotësim të argumentit se regjimi komunistë, pikësëpari ishte regjim injorantësh, le të shohim se cilin kish gjetur partia për kampet e Maliqit në ato vite. Drejtori quhej Beqir Liço Lalaj. Në dokumente njihet me emrin Beqir Liço. Kish lindur në vitin 1919 në Kuç të Vlorës. Profesioni ishte ai i punëtorit. Kish bërë vetëm 4 klasë fillore në katundin e vet, kur i hyri karrierës ushtarake kundër “armiqve të popullit”, të cilët kishin vetëm një faj se ishin të shkolluar. Ishte marrë me punë krahu, ndërsa në vitet 1940-1941 merrej “me disa matrapazllëqe” (siç e shkruan vetë). Në janar-tetor 1943 bën pjesë në njësitin gueril të Vlorës, ndërsa në maj-tetor 1944 komandant i këtij njësiti. Në shtator 1944 kalon me brigadën e 11-të komuniste, kohë e mjaftë për t’u reklamuar si “çlirimtar” i madh. Vlerësohej për urrejtjen e madhe që kish “ndaj armikut”, por vërehej për “anën e ulët kulturalo-politike”. “Detyrën si komandant kampi e ka kryer mirë. Ka eksperiencë pune, është vigjilent dhe ka urrejtje karshi armikut të klasës. Është i matur dhe i drejtë...”-thuhej në karakteristikën e vitit 1955. Megjithatë arriti deri në gradën e nënkolonelit. Çfarë i duhej kultura dhe arsimi në atë parti? Ish i dënuari Beqir Ajazi që vuajti edhe në kampin e Orman Pojanit shkruan:
“-Ju- thoshte ai,- nuk punoni, sepse dëgjoni fjalimet e Çërçillit, armikut të Shqipërisë.
Ndonëse pa shkollë, Beqir Liço i dinte mirë shkaqet e mosplotësimit të normës. Duke vënë si shkak gjoja orientimet e Çërçillit, në ato kushte ishte njësoj si të talleshe me gjithçka të bukur që ka ndërgjegjja njerëzore”.
***
Disa nga funksionet e BeqirLiços
-Vitet 1947-1949, drejtor i Burgut nr.17 Gjirokastër
-Vitet 1949, drejtor i kampit të Orman Pojanit
-Vitet 1951-1955, komandant i kampit nr.1 (1951 Nishavec; 1951-1952 Gosë; 1952-1953 Ura Vajgurore; 1953-1954 Rinas; 1954-1955 Bulqizë)
-Vitet 1958-1962 drejtor i Punëtorisë së Artizanalit
-Viti 1966 komandant i Repartit nr.315 Elbasan