Nga Kastriot Dervishi
Shumë komunistë kanë qenë në shërbim të fashizmit. Sidomos në vitet 1939-1943 ata ishin në detyra shtetërore, e rrjedhimisht kishin pranuar Partinë Fashiste Shqiptare. Pas vitin 1943 apo në vitin 1944, një armatë e madhe komunistësh të mëvonshëm u kthyen në “çlirimtarë” dhe për 50 vjet motivi i “luftës” ndaj fashizmit u bë mjet për përfitime të tjera si dhe për të goditur kundërshtarët e regjimit. Historia e Nevzat Haznedarit, e një prej xhelatëve më tipikë të diktaturës e tregon më së miri këtë nëpërmjet një ish të dënuari politik.
Skënder Stefanllarin e kam takuar dy herë, në Tiranë dhe në shtëpinë e tij në Korçë, fare pak javë para se të ndërronte jetë. Njeri i ditur, fisnik dhe i mirë. Më 31.7.1945 u dënua nga Këshilli Gjyqësor Ushtarak i Korçës bashkë me 19 persona të tjerë, 8 prej të cilëve u pushkatuan vetëm sepse dinte mbi fashistin Haznedari. Stefanllari vuajti dënimin në burgun e Korçës dhe kampet e Vloçishtit, Bedenit e Bishqemit. U lirua më 30.10.1956. Dëshmia e tij hedh dritë edhe për një mëri personale me Nevzat Haznedarin për lidhjet e tij me fashizmin. Në pjesën më të madhe të luftës, Nevzati ishte mësues. Shijonte rehatinë dhe rrogat e fashizmit. Nëpunësit e kishin të detyruar të ishin anëtarë të Partisë Fashiste. Po ashtu edhe në përputhje me urdhrin nr.589/1, datë 6.6.1939 të qeverisë, kishte premtuar se do ishte me parti e shotave kundër regjimit. Në dosjen e vet si kuadër Sigurimi, Nevzati nuk e shkruan këtë gjë, sepse në dorë i kish të gjitha. Biografisë së tij i mungon kursi i zhvilluar në Durrës më 7.8.1940, aty ku erdhi edhe Jakomoni dhe i vizitoi. Burimet italiane thonë se ky ishte “kurs informativ”.
Biografia e Haznedarit (1915-1984)
1938-1943 mësues në Leskovik
1943-1944 partizan
1945-1946 prokuror në Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë
1946-1949 prokuror i Gjykatës në Lartë Ushtarake
1952-1964 kryetar i Degës së 7-të t; Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit
1967-1974 kryetar i Degës së Punëve të Brendshme Elbasan.
1974-1975 këshilltar në Drejtorinë e Hetuesisë në MPB
1975-1977 inspektor në MPB
1977-1979 kryetar i Degës së Veçantë në Drejtorinë e Parë
Dëshmia e Skënder Stefanllarit
Gjatë aktakuzës kisha vetëm një dëshmitar. Lidhet me NevzatHaznedarin që ishte kryekriminel. Do të tregoj si e kam njohur Nevzatin. Në vitin 1940 hapet kampi i parë i arsimtarëve në Durrës. Ishin të tërë arsimtarët e Korçës atje. Midis tyre edhe NevzatHaznedari. Kur ka vajtur për vizitë Jakomoni në këtë kamp, Nevzati me një tjetër e ka ngritur hooopa, duke iu lutur: “Aman, të vish në Korçë”. Asokohe ai mund të ishte nja 30 e ca vjeç (25 në fakt-shënim), por ishte bishë. Në prill ’41, kur hyn ushtria italiane në dhe vjen Jakomoni e ngre në supe përsëriNevzatHaznedarin me një mikun e tij, mu para bashkisë, duke i thënë këtë herë: “Hajde andej nga lumi”....Më vonë, Nevzati (në vitin 1943-shënim), hidhet me partizanët dhe u bë bisha e partizanëve. U që nënkomandant i komandës së vendit në Opar...Ne habiteshim. Unë vetë thoshja hapur: “Ky qe fashist i orëve të para. Si u bë ky partizan?!!! Kur i ra atij, nuk e harroi. Kur hynë partizanët, ky kërkoi çdo mënyrë që patjetër të më shpinte në gjyq. Një muaj përpara se të dilja në gjyq, bënte mbledhje nëpër të tëra lagjet e Korçës dhe kërkonte dëshmitarë të sajuar për mua, po s’po gjente njeri. Më në fund, vjen koha q unë dal në gjyq, sepse ishte vendosur...Më nxjerrin një shokun tim dëshmitar. Dhe e pyet kryetari i gjyqit (Koço Prifti-shënim) dëshmitarin: “Ç’di për Skënderin?”. “E kisha shok”-thotë ky. “Skënderi kishte armë?”. “Kishte një revole të vogël që na e tregonte neve!”. “Po Skënderi çfarë ka bërë?”-hidheshe ky, Nevzati, duke nxitur dëshmitarin. “Ne nuk dimë gjë se çfarë ka bërë Skënderi”-qe përgjigja e dëshmitarit. Pra, ma nxori inatin në gjyq. Ishte shumë i pashpirt.
(Ekstrakt nga “Zërat e kujtesës”, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, nr.1, Tiranë 2014, faqe 374-376)