Nga Kastriot Dervishi
Më 21 maj 1973 të burgosurit në kampin e punës së detyruar nr.303 në Spaç u ngritën në revoltë. Gjithçka nisi si protestë kundër keqtrajtimit të një shokut të tyre në regjim biruce e vazhdoi në një protestë që tronditi gjithë regjimin. Në përfundim, u evidentuan prej organeve të Sigurimit 93 pjesëmarrës aktivë. U zhvilluan 5 procese politike, u dhanë shumë vite burg dhe u pushkatuan katër persona. Dënimet u dhanë këto data:
1-Grupi i parë, dënuar më 24.5.1973
2-Grupi i dytë, dënuar më 30.6.1973
3-Grupi i tretë, dënuar më 13.7.1973
4-Grupi i katërt, dënuar më 21.7.1973
5-Grupi i pestë, dënuar më 25.7.1973
Disa nga parullat e hedhura gjatë revoltës ishin:
-"Ja vdekje ja liri"
-“Ne nuk punojmë as sot as mot”,
-“Rroftë Shqipëria e Lirë”,
-“Ju jeni katila dhe keni lyer duart me gjakun tonë”,
-“Do t'ju djegim si Stalini"
-“Mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi”
-“Poshtë komunistët”
-“Rroftë Europa e lirë”
Të mos harrojmë të dënuarit me vdekje, martirët e lirisë: Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj dhe Pal Zefi.