U arrestua 16 vjeç, u dënua tre herë, kthimi në Spaç pas 43 vjetësh

E Enjte, 23 May 2019 18:29
I njëjti njeri në dy foto, 1961 i arrestuar dhe 2019 në Spaç I njëjti njeri në dy foto, 1961 i arrestuar dhe 2019 në Spaç

Nga Kastriot Dervishi

Në vizitën e fundit në Spaç më ra rasti të takoj ish të dënuarin politik Sytki Jera. Jetonte prej vitesh në Francë dhe vinte për herë të parë në kampin ku kaloi mes vuajtjes, atë që duhej të ishte pjesa më të bukur të jetës. Ishte i përlotur dhe nuk mbahej nga ndjenja për të treguar përnjëherë atë që tregohet për një kohë më të gjatë. Në sytë e këtij njeri kishte emocion të fortë dhe dhimbje po ashtu. Posedoja foton e dënimit të parë të tij, sepse ishte ndër rastet që më pat bërë përtypje se Sytkiu ishte arrestuar më 31.1.1961, bashkë me dy shokët e tij më pak se 17 vjeçarë. Kishin guxuar në mënyrë jo fort bindëse arratisjen, por ishin arrestuar. Dhe këta adoleshentë i kish nxjerrë përpara “drejtësisë” një gjykatë ushtarake me 3 kapitenë të parë dhe një prokuror major.

Gjykata Ushtarake e Tiranës, me veprim në Shkodër, me vendimin nr.47, datë 13.4.1961, i deklaroi fajtorë në bazë të nenit 64/10 të Kodit Penal dhe i dënoi si vijim:

-Hysen Riza Barbullushi, nga Shkodra, i vitlindjes 1943, me 4 vjet burgim.

-Xhevdet Rakip Ishmi, nga Shkodra, i vitlindjes 1944, me 3 vjet burgim.

-Sytki Sulejman Jera, nga Shkodra, i vitlindjes 1944me 3 vjet burgim.

Gjykata e lartë ndryshoi vendimet në 2 vjet për të parin dhe nga një vit për dy të tjerët.

Sytkiu vuajti 11 muaj e 14 ditë burgim. Nuk falte regjimi.

Pavarësisht se dënimi ishte minimal, Sytki Jera hyrë në listën e personave që duheshin arrestuar. Sërish arrestohetsë bashku me një nga shokët e dënimit të parë. Kësaj herë pa u arratisur, por i dyshuar se do arratisej. Pra për tendencë. Me vendimin nr.22, datë 2.4.1969 të Gjykatës së Rrethit Shkodër i deklaroi fajtorë në bazë të neneve 12 dhe 64/10 të Kodit Pena dhe i dënoi: Sytki Jerën me 7 vjet burgim dhe Hysen Barbullushin me 4 vjet. Të dyve iu konfiskohej pasurisë. Sytkiu burgun e vuajti në Spaç. Por edhe brenda në Spaç u ridënua me vendimin nr.30, datë 30.6.1973 nga Gjykata e rrethit Mirditë, me 3 vjet burgim. Vuajti gjithsej këtë herë 7 vjet, 1 muaj dhe 13 ditë.U lirua nga Spaçi më 13.3.1976.

Login to post comments