Nga Kastriot Dervishi
Në mbledhjen me sekretarët e KQ të PPSH-së, Ramiz Alia e Simon Stefani të datës 12.4.1979, u fol për disa çështje tregtare me Jugosllavinë. Në fund sekretari S.Stefani foli për disa çështje të Rrethit të Përmetit ku doli edhe çështja e rigonit. Enver Hoxha na shpjegon shprehjen se çfarë ishte shprehja “qeveria e rigonit”, qeveri rrjepacakësh d.m.th. Në vitin 1944, kur komunistët po merrnin me forcë pushtetin, elementi jokomunist, duke e ditur se me komunistët në pushtet vetëm fukarallëk do i vinte Shqipërisë, filluan ta quajnë qeverinë e tyre si “qeveria e rigonit”. Në të vërtetë ai arriti që ta kthejë Shqipërinë një vend të varfër ku populli nuk u ngop asnjëherë me bukë, për të mos folur më për të tjera gjëra. Me triska e nisi e me tollona e bitisi qeveria e rigonit.
Enver Hoxha: Meqë u përmend rigoni, do t’ju them një histori. Kishim formuar qeverinë, por akoma luftonim maleve. Ti Ramiz e ke njohur plakun tim. Në atë kohë ai shkonte rrugës kështu, kokëvarur se ishte edhe plak, pastaj edhe djalin e kishte në mal dhe qe si i mërzitur. Kur takoi një nga gjirokastritët reaksionarë, nga fisi i Karagjozatëve, që e njihte, ky e pyeti:
-Si je more Halil?
-Mirë- iu përgjigj plaku.
-Ç’të mban të tani-vazhdoi tjetri.
-Pse ç’më mban mua?-e pyeti plaku.
-Po ja, u formua qeveria e “rigonit”. Nuk i tha qeveria e malit, por e “rigonit”. Natyrisht, këtë ai ia tha me qëllim, se në kuptimin figurativ në Gjirokastër, “rigon” quajnë rrjepacakët, ata që ishin fare të shkundur nga ana ekonomike. Ti je “rigon” fare, i thonin një njeriu të tillë. prandaj, ai reaksionari i tha ashtu plakut tim që u formua “qeveria e rigonit”.