Nga Kastriot Dervishi
Godina ku është sot ambasada amerikane u përurua me një ceremoni të hijshme më 27 nëntor 1930, me pjesëmarrjen e Mbretit Zog, kryeministrit Pandeli Evangjeli, etj. Funksionoi deri në pushtimin fashist të 7 prillit 1939. Në 28.11.1944 godina u rihap nga misioni amerikan ushtarak, i cili më 8.5.1945 ia la vendin misionit diplomatik. Më 10.11.1946 misioni u largua nga Shqipëria. Gjatë viteve të komunizmit këtu u vendos ambasada italiane. Për t’u shënuar si ngjarje janë futja në këtë ambasadë e familjes Popa në vitin 1985 dhe të shtetasve shqiptarë në qershor-korrik 1990. Me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA-së, ambasada amerikane në Tiranë rifilloi aktivitetin dhe u riçel me një ceremoni zyrtare më 2.10.1991. Në mbledhjen e 26 prillit 1984 të Sekretariatit midis Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Lenka Çukos dhe Simon Stefanit, ndër të tjera, u diskutua edhe për kërkesën e qeverisë amerikane nëpërmjet qeverisë franceze për pronat e shtetasve amerikanë në Shqipëri. Pas diskutimeve të gjata e të kota, pyetet ku ishin këto prona, për disa raste të veçanta si shkollat e dikurshme amerikane, në një kohë që kërkesa ishte për shtetas amerikane që nuk e kishin humbur shtetësinë shqiptare, biseda u vërtit te godina e ambasadës amerikane. Duke qenë se shteti komunist njihej si hajdut dhe plaçkitës, aspak shtet i së drejtës, por një vend ku drejtonin kriminelë dhe vrasës, në marrëdhëniet ndërkombëtare ata shfaqen edhe injorantë, teksa thonë “të na sjellin dokumentet”. Mund të shihnin hipotekat e vendit më parë, apo traktatet dypalëshe para se të arrinin në përfundime të këtij lloji.
Pjesë e debatit
Ramiz Alia: Po, për ne, me përjashtim të ndërtesës së ambasadës që sot e kanë italianët, nuk na figuron asnjë pasuri amerikane në Shqipëri.
Enver Hoxha: Hiç, mos t’ia them as punën e ambasadës. T’u themi që ç’ka pretendojnë amerikanët duhet të na i dokumentojnë ku janë këto pasuri që kërkojnë, sepse te ne nuk ka asnjë pasuri amerikane.
Ramiz Alia: Kështu që, po të na sjellin dokument për ndërtesën e ish ambasadës amerikane, atëherë t’ua punojmë ndryshe: t’u japim ato 500 mijë dollarët, a sa bën ajo dhe t’u kërkojmë italianëve qiranë.
Enver Hoxha: Posi, qiranë t’ua kërkojmë italianëve, sepse deri sa e paguajmë, kemi të drejtë ta konsiderojmë të shtetëzuar ish ndërtesën e ambasadës amerikane...