Nga Kastriot Dervishi
35-vjetari Ramadan Tahiraj nga fshati Paftal i Rrethit të Beratit, afër shtëpisë së vjetër kish nisur vetë të ndërtonte një shtëpi të re. Këshilli Popullor i Fshatit Paftal, më 29.1.1975 kish vendosur të prishte këtë shtëpi qysh në fillimet e saj sepse ndonëse ishte ngjitur me shtëpinë e vjetër, konsiderohej si “jashtë vijës së verdhë”. Pasi ankuesi shteroi gjithë protestat e tij drejtuar organeve më të larta, më 3.3.1975 kryetari i këshillit të fshatit Sami Kosova, i plotfuqishmi i Policisë Përparim Mullaj, kujdestari i repartit të Policisë Ferik Brami, thirrën ankuesin ta prishte vetë shtëpinë sepse në të kundërt do ndërhyhej forcërisht. Pasi Ramadani nuk pranon, ata nisen te shtëpia për ta shembur me anë të dy punëtorëve. Pas disa minutash, Ramadani shfaqet me pushkë në dorë përpara grupit që po i prishte shtëpinë dhe i thotë policit të parë: “Kam edhe unë një vendim për ju”. E plagos fillimisht atë, pastaj e vret. Kështu bën edhe me policin e dytë. Me fat ishte kryetar i këshillit pasi iu shpua vetëm pardesyja. Për 6 ditë, Ramadani mundi të qëndronte i arratisur. U rrethua më 9.3.1975 në fshatin Allambros ku u vra. Në çastin e fundit mbajti afër në rrugë 4 fshatarë, njëra prej të cilave, u vra. Ramadani ishte e vetmja familja që nuk ishte futur në kooperativë bujqësore. Ai posedonte 27 rrënjë ullinj, 32 shqerra, 12 lopë, 7 lopë e viça dhe një hektar tokë, diçka e rrallë për atë kohë. Punonte edhe murator edhe shiste produkte bujqësore e pije alkoolike.
(Fotot e kësaj ngjarjeje janë të rënda dhe nuk mund të ekspozohen).