Nga Kastriot Dervishi
Kur në Europën Lindore kishin nisur ndryshimet e mëdha që do kulmonin me rënien e murit të Berlinit në nëntor 1989, në Shqipëri kufijtë skuqeshin nga gjaku. 30 vjet më parë në postën kufitare të Rrushkullit në Rrethin e Shkodrës, pjesë e repartit kufitar nr.298, vriteshin këta shtetas:
-Gjon Mark Kumblaku (vitlindja 1963) nga Mali i Jushit Shkodër.
-Dodë Fran Paloka (vitlindja 1966) nga Mali i Jushit Shkodër.
Ora 6.00 të datës 25.8.1989 në sektorin e postës kufitare Rrushkull të Rrethit të Shkodrës janë vrarë dy shtetas nga ushtari roje i shërbimit 21 vjeç nga Teblova e Vlorës dhe nga “shoqëruesi i punëtorit operativ të zonës”. Ata kanë kaluar për mrekulli disa pengesa, por janë bllokuar në metrat e fundit kur duhej të kalonin kufirin.
Njoftimet zyrtare kanë dashur t’i rëndojnë duke i cilësuar persona “me prirje rrugaçërore” dhe “prirje për jetë të shthurur”, në mënyrë për të përligjur veprimet ndaj tyre. I janë afruar “brezit të butë” dhe kanë synuar të gërmojnë pengesën elektro-sinjalizuese me një shkop, por nuk kanë mundur ta realizojnë qëllimin.
Disa muaj më vonë, pa u mbushur viti, në të njëjtën postë kufitare, më 20.4.1990 u vranë Dhurata Sokoli dhe Elez Kraja.