Nga Kastriot Dervishi
Pas pushkatimit makabër të Eugenio Scaturos, Vasil Manos, Zorika Manos dhe varjes në litar në inxhinierëve të projektit, Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri trupat e tyre pa jetë, pasi ishin larguar spektatorët, u bartën dhe u futën fshehtas në një gropë të përbashkët (100-200 metra larg). Për regjimin, individi ishte armik përjetësisht, edhe me eshtrat e tij. Ai nuk duhej të linte kurrfarë shenje e kujtimi. Asokohe, Maliqi kishte vetëm kapanonët ku punuan vullnetarët dhe një tip hani të vogël. I gjithë vendi ku shtrihet sot qyteti ishte fushë dhe i pabanuar. Pas tharjes së kënetës, pak nga pak Maliqi u bë një qytet i ri i socializmit, prodhonte sheqerin. Kombinati mbante emrin “8 nëntori”. U përqendrua një popullsi tej mase e indoktrinuar dhe shumë e bindur ndaj regjimit. Rreth vitit 1975 gjatë hapjes së themeleve të pallatit që shihet në foto, në vendin shënjuar u gjetën 5 skelete të përzier njerëzish. Mungesa e varreve të rregullt, afërsia me vendimin e ekzekutimit dhe sjellja e drejtuesve të kohës me këto eshtra, na bën të besojmë se këto kanë qenë eshtrat e martirëve të procesit të Maliqit të vitit 1946. Urdhri i drejtuesve të kohës kishte qenë zhdukja e menjëhershme e tyre. Ngjarja tregohet nga një dëshmitar i asaj kohe. Kjo ishte hakmarrja e fundit e regjimit nga 5 intelektualëve të cilëve iu mor jeta krejt pa asnjë faj, por vetëm për të implikuar amerikanët në një histori pa lidhje me ta. Besohet se janë hedhur në lumin e Devollit që ndodhej aty pranë.