Nga Kastriot Dervishi
Në veprat e diktatorit, shumë diskutime në lidhje me fukarallëkun e gjëra të këtij lloji, përjashtoheshin nga botimi. Kryecensorja, bashkëshortja e diktatorit, nuk lejonte në asnjë rast të diheshin këto informacione. Një i tillë është një diskutim i datës 28.6.1956 në Byronë Politike, për Konferencën e Këshillit Ekonomik në Moskë, në të cilën ishin trajtuar tre çështje: industrisë e bujqësisë, prodhimin e materialeve ushtarake, zëvendësimit të Byrosë Informative me një organ tjetër. Nga Shqipëria kanë marrë pjesë Enver Hoxha dhe Spiro Koleka. Në shënimin e datës 5.4.1973 Nexhmije Hoxha shkruan:
“Përmbajta e këtij materiali nuk mund të botohet në veprat e sh.Enver, por do të na duhet kur të shkruajmë historikun e marrëdhënieve Shqipëri-BRSS”. Megjithatë, për “diçka” ajo autorizon Sevo Tarifën, por për pjesën e “demaskimit të Imre Nagit”. Midis të tjerash, bie në sy fakti si Bashkimi Sovjetik nuk kishte mundësi furnizimi me drith, ndërsa jepte porosi për misrin dhe derrat.
Spiro Koleka: Hrushovi theksoi rëndësinë e bukës për kampin. Ai tha (se) ato që kishim ua dhamë dhe të tjera nuk kemi ku t’i nxjerrim. Prandaj duhet ta prodhojmë vetë bukë, rrugë tjetër nuk ka. Bukën nuk duhet ta marrim në Perëndim, prandaj tha ai, dua të flas për misrin që e kemi nënvlerësuar. Ne që i dhamë rëndësi vitet e fundit, kemi pasur rezultate të mrekullueshme gjë që duhet të na bëjnë të mendohemi seriozisht për çështjen e bukës. Me misrin tha ai, ne zgjidhëm problemin e mishit, të qumështit dhe të gjalpit. Tani te ne tha ai, gjen mish dhe gjalpë më lirë në tregun fshatar se në atë të shtetit. Në lidhje me misrin, ai na dha si shembull pozitiv një numër obllastesh.
Enver Hoxha: Hrushovi tha se kishte marrë në patronazh fshatin e tij, kur përpara kishte 60 derra, por para dy vjetësh i bënë 250 dhe tani ka 600 derra, duke pasur po ato njerëz dhe po ato toka. Në lidhje me misrin, ai mori shumë shembuj nga demokracitë popullore. Ai i kritikoi të gjithë, por për Shqipërinë tha se nuk kam ç’të them se nuk e njoh. Përfitova nga rasti dhe e ftova, duke i thënë urdhëro e të vish.