Mbledhja e Pezës, si u gjetën një pjesë e dokumenteve të procesverbalit

Hënë, 16 September 2019 15:47
Procesverbali origjinal i mbledhjes së Pezës dhe shkresa përcjellëse e vitit 1962 Procesverbali origjinal i mbledhjes së Pezës dhe shkresa përcjellëse e vitit 1962

Nga Kastriot Dervishi

Dokumentet e mbledhjes së Pezës u gjetën nga regjimi fashist fare pak ditë pas mbarimit të saj. Disa herë Koço Tashko i kishte kërkuar Miladin Popoviçit të digjte procesverbalin në fjalë, por ai nuk kish dëgjuar. Me dokumentet e këtij takimi që nuk prodhoi asgjë më pas, ndodhi njëlloj si ato të themelimit të PKSH-së. Pas lufte, në rrumpallën e madhe arkivore të shkaktuar nga komunistët, disa fletë të procesverbalit u gjetën si pjesë e praktikës së një dosjeje së Kuesturës së Tiranës për gjyqin ushtarak. Me shkresën e datës 20.12.1962, drejtori i Drejtorisë së Arkivit të shtetit, Dhimitër Kotini, i dërgon tre fletë (shkruar nga të dyja anët, d.m.th. 6 gjithsej). Vihet re se mungon fleta e ditës së parë. Për këtë arsye, dëshmitë e drejtpërdrejta mbi ngjarjen janë të pakta. Dëshmia më e plotë dhe më afër kohës së ngjarjes është ajo e Halim Begesë. Gjithçka nga mbaruar brenda ditëve të kësaj mbledhjeve. Asnjë efekt dhe asgjë nuk u bë pas saj.

***

Pjesë nga procesverbali i gjetur i mbledhjes së Pezës

Fillon mbledhja ditën e mërkurë, ora 20.00, 17 shtator 1942. Hapet mbledhja nga anëtari i kryesisë, Ndoc Çoba për rëndësinë e kësaj konference dhe përgjigjet tona përpara popullit shqiptar. (Këndohet) himni i flamurit dhe pushim në kujtim të dëshmorëve të rënë për luftën antifashiste. Caktohet rendi i ditës:

1-Situata politike e jashtme dhe e brendshme

2-Këshillat nacionalçlirimtare

3-Referati i rinisë

4-Këshilli (komisioni) që do të përpiloj rezolucionin e kësaj mbledhjeje

Flet delegati nacionalist R. J: Populli shqiptar ka përpara një armik të fortë. Kombi shqiptar asht e ka qenë i varfër, i shtypur, pa mjete. Arma kundër armikut asht bashkimi i popullit shqiptar. Dëshirojmë që kjo konferencë të jetë vendimtare për popullin shqiptar si konferenca e Lushnjes (e vitit 1920 – shënim). Kjo asht baza e jonë e prandaj nuk ka kundërshtim me veprimtarin komuniste. Nevojat e bashkimit të djalërisë dhe formimi i një Komiteti i quajtur Mbrojtja Kombëtare. S’ka fillim revolucioni ne jemi tue jetue revolucionin. Flet delegati Çoba për bashkimin kombëtar. Lexohet referati politik i delegatit të Partisë Komuniste. Flet delegati i Partisë Komuniste K. T. (Koço Tashko): Për t’i arrijt qëllimit të bashkimit duhet të skjarohemi, gja krejt e nevojshme që këtu janë elementë të ndryshme nga rryma të ndryshme politike. Për këtë nevojiten skjarime që të mund të shkojmë drejt në luftën kundra armikut të përbashkët pa dallim: jemi shokë lufte. Fletet për Kongresin e Lushnjes dhe për analogjinë e kësaj konference me atë kongres, kongres i cili bashkoi forcat guximtare. Kongresi detyroi Qeverinë e Durrësit të japë dorëheqjen dhe përgatitë luftën e Vlorës. Kështu edhe sot kjo konferencë gjendjet përpara vendimeve të ngjashme. Por sot ka një faktor të ri, Partia Komuniste. Atëher s’kish komunistë, por kish diçka të ngjashme. Ishte shoqnija “Bashkimi”. Puna që bënte ishte puna në fshatra. Rinia e “Bashkimi”-t fitoi të drejtën e liris me gjakun e saj. Periudha 1921 – 1922 – 1924 ishte periudha e demokracisë, pa folur për periudhën e Zogut. Shqipëria s’ka qenë kurrë demokratike veç n’ato 4 vjet. Për një demokraci të tillë edhe më të mirë luftojmë ne sot. Nën regjimin demokratik të gjithë elementet e ndryshme do të kenë të drejtë të kalojë të lirë.. Në kët regjim i lehet popullit të vendosi mbi fatin e saj. Aprovacioni i B. dhe J.

Sot do të bahet bashkimi? Në qoftë se do të marrim nga eksprienca e popujve të tjerë me pak ndryshime për popullin tonë puna zgjeidhet sa më lehtë. Çdo element i një rrymë të caktueme politike asht i lirë të propandojë dhe të punojë për vendojes e rrymës së caktueme politke, asht i lirë të propandojë dhe të punojë për vendosjen e rrymës së dëshirueshme. Kështu edhe komunistët do të zhvillojnë aktivitetin e tyne dhe do të punojnë për luftën nacional – çlirimtare. Por kjo nuk do të na ndalojë në luftën e përbashkët nacionalçlirimtare. Të gjithë këtu i kanë dhënë çështjes dëshmorët e saj. Bazi i Canes, Myslimi, etj. kështu dhe Partia Komuniste ka dhanë dëshmorët e saj. Të drejtën e ekzistencës e ka fitue me gjak. Më 1939 O. R. ishte e para që hyri në luftë kundra okupatorit. Kjo ka qenë e detyruar të punojë e fshehur e ndjekur si bisha. Kjo përgatiti ngritjen e popullit më 7 prill 1939. komunistët kuptuan qëllimet zaptuese që përgatiste Giroja. Komunistët filluan luftën me rrahje e demaskime, propagandë e demonstrata dhe që përfundoi në eksperienca. Nuk dha gjakun aq sa i përkiste. Sot ajo pas okupacionit fitoi eksperiencën dhe po gëzon qenien e saj dhe në bashkim me grupet e tjera nacionaliste do të fitohet liria. Çdo popull, lirinë e ka fitue me gjak. Gjaku i shqiptarëvet, patriotëve nuk derdhet kot, po të derdhet për liri, por ky gjak do të patrohet, po të jet bashkimi i fortë. Flet delegati Çoba. Anëtar në kongresin e Durrësit. Atje qe bashkimi që tronditi bazat e qeverisë së atëhershme. Veç një gja duhet pas parasysh: Bashkimi Kombëtar. Unë respektoj të gjitha mendimet e të tjerëve, por mbi të gjitha Bashkimi Kombëtar. Flet delegati i Rinisë Nacionaliste. Thekson nevojën e vërejtjen mbi situatën politike, të cilën neve e ndjekim me admirim. Deri sot ndoshta nuk kemi ba gja, por që sot e tutje ne do të jemi gati në sabotime e spastrime, kudo që të vendosi ky këshill. Edhe neve kërkojmë të vendosim një formë qeverisje që don populli. Disa mund të na thonë që komunizmi mund të na vijë. Në qoftëse komunizmi invadon botën, të gjithë komunistët të ngrihen me mitrolozë, s’mund të bajmë gja. Gjithashtu nacionalizmi nuk mund të pengohet nga komunizma. Në qoftë se populli zgjedh komunizmin, ne do të respektojmë vullnetin e tij.

Login to post comments