Nga Kastriot Dervishi
Besoj ju kujtohet fotoja e dy partizanëve që puthen në buzë në dhjetor 1944, të cilën e kam publikuar më parë. Sot ju paraqes një puthje në buzë të dy nxënësve të dalluar që kryejnë një puthje në buzë në prani të mësonjës së zyre. Në shkollën “Emin Duraku” në Tiranë është realizuar kjo foto e publikuar në brendi të revistës “Fatosi” në vitin 1963. Për ilustrim historik, ju kujtoj pjesën e mëposhtme të romanit “Nëna” të Maksim Gorkit. Se është edhe një lloj tradite komuniste kjo.
Pjesë nga romani “Nëna”
"Ai ndërroi pozën, mori sërish penën dhe shqiptoi, duke nënvizuar me lëvizjet e dorës ritmin e fjalëve të tij: "Jeta familjare e ul energjinë e një revolucionari, gjithmonë e ul! Fëmijët, vështirësitë, nevoja për të punuar më shumë për sigurimin e bukës së gojës. Por revolucionari duhet ta grumbullojë energjinë e tij pandërprerje, gjithnjë më thellë e më gjerë"
"Ulur në dysheme, Andrei shtriu këmbët në të dy anët e samovarit dhe ia nguli sytë Pavlit. Nëna qëndronte në derë, duke e mbështjellë me një vështrim të trishtë e ledhatar zverkun e rrumbullt të Andreit dhe qafën e tij të gjatë e të kërrusur. Ai i dha torsit prapa, u mbështetur me pëllëmbë në dysheme, u hodhi një vështrim Nënës dhe të birit me sytë e përskuqur dhe, duke u kapsallitur, foli me të qetë:
- Ah, sa njerëz të mirë, që jeni!
Pavli u përkul mbi të dhe e kapi për dore.
- Mos më tërhiq! - tha mbyturazi Andrei. - Me aq vrull si e ke marrë do të më lëndosh...
- Përse paskeni turp kështu? - tha trishtueshëm Nëna. - Të ishi puthur të paktën, të ishi përqafuar fort e fort...
- Të pëlqen? - e pyeti Pavli.
- Mundet! - u përgjegj Andrei, duke u ngritur.
Me t'u përqafuar, ata ngrinë për një copë herë - dy trupa - një shpirt, që digjeshin e përvëloheshin nga ndjenja e miqësisë".