Sigurimi për filmin “Mysafiri”: “Zbukuron jetën në vendet kapitaliste”

Hënë, 14 October 2019 17:59

Nga Kastriot Dervishi

Kinostudio “Shqipëria e Re” në aktivitetin e madh të saj në fushën e filmit realizoi filma artistikë cilësorë nga ana teknike, por jo të tillë nga ngjarjet që pasqyronte. Mitizimet e të ashtuquajturës “luftë nacionalçlirimtare” si dhe të rolit të Partisë së Punës gjenden të pasqyruar në mjaft filma artistikë, aq sa është thënë “se luftën e bëri kinostudio”. Por gjatë diktaturës kinostudio në fjalë prodhoi edhe filma me subjekte nga Sigurimi i Shtetit. Këto filma i bënin jehonë veprimtarisë së Sigurimit, “zgjuarsisë” së tij për të krijuar kombinacione e vepra të tilla të ngjashme. Me përjashtim të filmave me subjekte nga çështja e Pal Mëlyshit dhe atij të njërës prej radiolojave, filmat e tjerë të propozuara prej Sigurimit ishin thjesht imagjinata. Teknika e këtyre filmave që vinin si propozime të Sigurimit, përveç filtrit të zakonshëm që vinte nga Partia e Punës, parashihte edhe filtrin profesional që vinte nga “ekspertët” e Sigurimit të Shtetit. Një analizë i bëhej skenarit dhe më pas realizimit të filmit. Po ndërsa për skenarin nuk kishte shumë vërejtje pasi ishte parë edhe më parë nga Sigurimi, pjesa e realizuar ngjallte jo pak herë kritika për skenat e veçanta e gjithë dritë me të cilat paraqitej jeta në Perëndim. Për çudi, jeta dhe atmosfera e përgjithshme në vendet e Perëndimit paraqitej ashtu siç ishte, në luks e në mirëqenie. Mirëpo kjo gjë binte në sy menjëherë me skenat e varfra e pa dritë që vinin nga vende të ndryshme në Shqipëri. Në këtë mënyrë i bëhej një reklamë krejt aksidentale jetës në Perëndim, cilësisë së jetës atje. “Mysafiri” ishte njëri prej filmave me skenar nga Sigurimi. Për këtë dha opinion e tij edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe drejtor i Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit Feçor Shehu. Përballja me botën kapitaliste dhe mënyra e paraqitjes së saj ka qenë gjithmonë një moment frike, e cila vinte nga fakti se filmi nuk ishte si letrat, ndikimi i tij ishte shumë më i fortë në krahasim me rastet e tjera propagandistike. Shikuesi shqiptar teksa shihte njerëz të veshur mirë, ushqim të bollshëm, lëvizje të lirë, pije të çuditshme, qytete të mirëndriçuara, makina të ndryshme që qarkullonin pafund, etj, nuk kishte si të mos “hutohej” e të mos mendonte. Pavarësisht se Perëndimi paraqitej i zi, aksidentalizmi i paraqitjes së tij nga filmat me subjekt Sigurimi sillte një kuptim krejt të kundërt të këtyre filmave. Përfytyroni, skenat e dëfrimeve Perëndimore jepeshin në një film të prodhuar në një vend të vogël si Shqipëria ku nuk njihej fare dëfrimi. Shikuesi shqiptar duhej të pranonte në heshtje se dëfrimi ishte i keq dhe puna e tij angari nëpër kooperativa e fabrika ishin mirëqenia e vërtetë. Pavarësisht se këtë frikë “shokët e Sigurimit” e kanë pasur, nuk mundën ta hiqnin dot nga filmat që realizuan. Feçor Shehu kërkon që diskutimi rreth filmit të mos ndalet vetëm te Sigurimi, por të shkojë më tej edhe në bashkërendimin me Ministrinë e Arsimit. Për të Sigurimi nuk duhet të lejonte shpërthime në trena e miniera (shembull nga filmi), duke shtjelluar më tej këtë temë pse duhej bërë kjo gjë. Filmat në fjalë ishin një lloj kapërcimi nga lufta kundër “bandave” (si rasti i Pal Mëlyshit), e sjellë nëpërmjet ballafaqimit luftarak, në luftën kundër shërbimeve të huaja e paraqitur si luftë e ftohtë.

***

Disa mendime mbi filmin “Mysafiri”

Është punë e mirë dhe e lavdërueshme për autorët, për regjisorin, e gjithë shokët e shoqet që kanë marrë pjesë në këtë film me objekt rritjen e mëtejshme të vigjilencës revolucionare. 

-Nga pikëpamja e punës artistike dhe talentit, nuk mund të thuash tjetër veçse fjalë lavdëruese me shumë respekt.

Tema gjithashtu ndihmon në rritjen e mëtejshme të vigjilencës revolucionare, merr pjesë në tërë vargun e punës së madhe të partisë për edukimin e masave me frymën revolucionare, me frymën e urrejtjes për armiqtë, me dashurinë për partinë dhe armës e saj, Sigurimin e Shtetit.

-Por duke parë me sy kritik këtë film, më lejoni të jap disa mendime.

1-Edhe herë të tjetër kemi thënë që kur paraqesim botën kapitaliste, në të cilën zbulimet e huaja hedhin hapat e para për realizimin e detyrave kundër nesh, po bëhet zakon që paraqiten skena dëfrimesh, jetës së shthurur në kafeneja, pije e çifte të ndryshme. Pse vallë paraqiten këto skena sikur çdo gjë fillon domosdo nëpër kafeneja. Në këto lloj skenash që ndoshta duhen parë me sy kritik ne bëjmë edhe efekte negative te njerëz të paformuar. Konkluzioni është që ndoshta duhet të shikojmë këtë metodë me sy kritik. Të korrigjohet çfarë mund të korrigjohet.

2-Inxhinieri është njeri i mirë, humbja e një dokumenti sekret në atë formë që paraqitet dhe takimi me një të arratisur pa ditur se ç’është ai, a janë materiale me të cilat zbulimet e huaja të futen për të rekrutuar një kuadër tonin?

Mendoj se kjo situatë krijon përshtypje jashtë moralit tonë, pa dashur ul dhe Sigurimin e Shtetit.

3-Inxhinieri gjatë bisedës me kuadro të zbulimeve të huaja, mban qëndrim të drejtë politik, nuk pranon, bile këtë e shpreh hapur jo vetëm jashtë shtetit, por edhe në disa takime që bëjnë agjentët e zbulimeve të huaja në Shqipëri, atëherë shtrohet pyetja: a nuk është e trashë , pa kurrfarë logjike që kuadrot e zbulimit borgjez, këtij njeriu që nuk pranon, por lëkundet t’i ekspozojnë gjithë anëtarët e grupit (rezidenturën), gjë e paprecedentë, ul fort veprimet e armikut, rrjedhimisht edhe forcën e Sigurimit të Shtetit para masës, pasi krijohej përshtypja e rremë që shumë lehtë munden të zbulohen armiqtë.

4-Për të “komprometuar armiku” kandidatët e tij (loja e Sigurimit), Sigurimi nuk duhet kurrsesi të lejojë që të shpërthejnë minat në trenat, qoftë edhe jashtë minierave tona. Psikologji e keqe.

Hidhni një sy kujtesës së filmit të Pal Mëlyshit, e do të dalë në pah përmbajtja e Sigurimit të Shtetit se ç’bëjnë njerëzit e tij për të mos lejuar akte terroriste e diversioniste, atëherë kur kjo gjë lejohet, si mundet Sigurimi që japë orientime të tilla. Mendimi tonë është që këto çështje të diskutohet me shokët autorë të filmit, me Kinostudion, me Ministrinë e Arsimit e të gjykohet që bashkërisht të bëjmë korrigjimet dhe plotësimet përkatëse. Për konsulentët dhe shokun Rakip (Beqaj) kam një kritikë që duhet mbajtur parasysh për të ardhmen nga shokët që do të ngarkohen për të ndihmuar në filma të tillë, që ata duhet të organizojnë më gjerë debatin, të marrin mendimin e shokëve e të mos tregohen kaq indiferentë për marrjen e mendimit. Format si do të tërhiqet materiali janë të shumta.

Feçor Shehu

Tiranë më 6.4.1979

Login to post comments