Nga Kastriot Dervishi
Procesi i parë i “grupit të kulakëve të Poshnjës” ka ngelur në kujtesën e shumë njerëzve për shkak të filmimit të tij dhe një shfaqje në sallën e një kinemaje. Një proces tipik i sajuar që u nda në dy pjesë. Gjykimi i grupit të parë të “kulakëve të Poshnjës” i dhënë më 7.1.1978, përfundoi me pushkatimin e Luftëtar Prototuarit dhe Riza Azizit dhe burgosjen e të tjerëve, u zhvillua edhe dënimi i grupit të dytë. Në procesin e dytë, nuk u përdorën mjetet e fuqishme agjitative si herën e parë. Gjërat u bënë pa bujë. Personi kryesor i “grupit” ishte Sako Protoduari, të cilit nga procesi i parë i ishte pushkatuar djali Luftëtar dhe dënuar me burgim djali tjetër Muharremi.
Të dënuarit e procesit të dytë ishin:
-Sako Murat Protoduari (1910), lindur e banues në Poshnje të Beratit, cilësuar kulak, arrestuar më 12.3.1977.
-Halim Sadik Çobo (1918), lindur e banues në Polizhan, cilësuar kulak, arrestuar më 16.6.1977.
-Ahmet Isuf Hazizi (1920), lindur e banues në Polizhan, cilësuar kulak, arrestuar më 16.6.1977.
-Ahmet Qazim Çobo (1937), lindur e banues në Polizhan, cilësuar kulak, arrestuar më 7.5.1977.
Gjykata e Rrethit të Beratit, me vendimin nr.37, datë 15.3.1978, i deklaroi fajtorë në bazë të nenit 73 të Kodit Penal (agjitacion e propagandë) dhe i dënoi me nga 10 vjet burgim. u la në fuqi me vendimin nr.102, datë 8.4.1978 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Sako Murat Protoduari ishte 67 vjeç kur u arrestua. Ai u dërgua në Repartin nr.309 Ballsh për të vuajtur dënimin. Ai vdiq nga hemorragjia më 27.1.1982 në moshën 72 vjeçare.