Nga Kastriot Dervishi
Prefektura Mbretërore e Tiranës i përcillte më 16.10.1942 Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, raportin për ngjarjen e datës 7.10.1942 në Tiranë. Sipas dokumentit janë vrarë Sadik Stavileci, Gjergj Martini (i njohur si Xhoxhi Martini) dhe Stavre Dolloreviçi (i njohur si Vojo Kushi), si dhe është arrestuar Muharrem Qamili. Bashkëlidhur me këtë informacion, jepet edhe e dhëna e disa arrestimeve të tjera. Dy janë faktet që bien në sy: e para veprat penale të Gjergji Martini si djegie dhe rrëmbim personi (madje për rrëmbimin e vajzës së Selman Kukaleshit janë akuzuar sipas historiografisë komuniste Fiqret Sanxhaktari dhe Agron Çorati), si dhe emri i Stavre Dolloreviçit, i njohur më pas si Vojo Kushi. Dokumenti në fjalë, është botuar i censuruar në librin kushtuar heronjve të luftës të vitit 1986, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit.
Dokumenti
Kuestura Mbretërore e Tiranës
Tiranë, 7.10.1942
Lënda: Organizim terrorist-komunist
Drejtuar: Prefekturës Mbretërore të Tiranës
Sonte natën, kjo zyrë, duke pas marrë hetime se në lagjen “Ismail efendi” të këtij qyteti fshihen elementë komunistë, disa ndër të cilët eksponentë të organizatës terroriste, ka filluar një aksion me pjesëmarrjen e reparteve të Milicisë Fashiste Shqiptare.
U morën masat për rrethimin e përgjithshëm të lagjes së sipëthënë, e porsa filloi mëngjesi u fillua veprimi për një spatrim të përgjithshëm. Mbasi u diktua vendi se ku ishin fshehur disa ndër elementët komunistë të sipërtreguar, me përdorimin e autoblindave u përballuan. Me qenë se ata treguan qëndresë me hedhje bombash dore, edhe armë zjarri, forcat publike ka pordorur armët, duke varë dy ndër komunistët dhe duke rreshtuar njërin ndër ta.
Në vijimin e veprimeve u diktua dhe një vend tjetër ku ishin fshehur elementë të tjerë komunistë. Mbasi qenë ftuar të dorëtoheshin, ata përgjigjeshin duke shtirë me armë zjarri dhe hedhu bomba dore, duke plagosur rëndë në të hollë mareshalli i Milicisë Fashiste Shqiptare, Adem Dalip Murati.
Duke mos dashur që të mos mbeteshin viktima të tjera të forcës publike, u shtinë në veprim qerret e armatosura. Me gjithë këtë forca publike qe shtrënguar të përdorte armët, mbasi komunistët hodhën bomba dore dhe përdorën revolverë automatikë. Një komunist mbeti i vrarë dhe një tjetër u arrestua.
Prej komunistëve të vrarë janë identifikuar dy ndër ta, d.m.th.?
1-Sadik Stavileci, i biri i Salihit dhe i Shehzades, lindur në Gjakovë në vitin 1915, banues në Tiranë, teknik.
2-Gjergj Martini, i të ndjerit Martin dhe i Vasilijes, lindur në Tiranë më 1917, këtu banues në rrugën “Beri”, nr.8, mekanik. Ky ka marrë pjesë edhe në tentativën e vënies në zjarrit të liceut të gjimnazit “Fracesco Gripsi” dhe në grabitjen e vajzës së nënkomisarit të Policisë Selman Kukaleshit, ashtu edhe në konfliktin që ka ngjarë në rrugën e Shëngjergjit në mbrëmjen e datës 24 shtator 1942.
Mendohet i treti që është vrarë të jetë një farë Stavre Dolloreviçi, jugosllav, i cili nuk është identifikuar mirë, kundrejt të cilit është denoncuar së bashku edhe me Gjergj Martinin.
Të arrestuarit që janë kapur gjatë dy konflikteve janë:
-Njëfarë Haxhi Farka, i biri i Shabanit dhe i Haxhijes, lindur në Tiranë më 1923, këtu banues në rrugën “Topulli”, nr.42, zdrukthëtar, edhe një tjetër...
-Muharrem Qamili, biri i Qamilit dhe Velides, lindur në vitin 1918 në Vranisht të Vlorës, ish teknik i shkollës së agrikulturës në Lushnjë. Ky ishte kërkuar nga kjo zyrë pse kishte marrë pjesë në një organizatë terroriste komuniste e, si i këtillë denoncuar edhe autoritetit gjyqësor ushtarak...datë 10 gusht 1942. Së fundi herë ky bënte pjesë në komitën e armatosur komuniste që kryesohet nga Ismail Petrela.
Në kontrollin e sipër janë kapur edhe:
-komunisti i kërkuar Nasi Mariani, i biri i Ilias dhe Lunjallës, lindur në vitin 1917 në fshatin Nariaj të Korçës, ish nëpunës i Konviktit Mashkullor të Tiranës, të cilit i janë gjetur edhe sekuestruar shumë deviza ushtarake;
-studenti Pal Doçi, i biri i Pjetrit dhe i Marës nga katundi Shebë i Mirditës më 1923. Ka qenë rreshtuar edhe më parë si i dyshimtë në aktivitet komunist në prillin e kaluar, pastaj i lënë i lirë për urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme.
-Lefter Kosova, biri i Shimit dhe i Fotinit, lindur në Korçë më 1907, banues në Tiranë...
-Anton Avnia, i biri i Avniut dhe i Nevenes, lindur në Durrës më 1926, banues në Tiranë. tregtar...
-Thimi Samarxhiu, i biri i Janit dhe i Sofijes, lindur në Berat në vitin 1917, banues në Tiranë, zdrukthtar...
-Sotir Gostivishti, i biri i Iljazit dhe i Zoicës. Lindur në fshatin Gostivisht të Kolonjës më 1908, tipograf...
-Gjergj Legisi, i biri i Frrokut dhe Diles, lindur në katundin Shehe të Mirditës, zdrukthëtar...
Për këta të arrestuar vijojnë hetimet.
Veprimet i spastrimit, me qenë se nuk qe e mundur të kryhej sonte, për arse se u err nata, do vijohet nesër duke filluar nga mëngjesi. Ndërkaq, lagja “Ismail Efendi” mbahet gjithnjë e rrethuar.
Kuestori Pandeli Papalilo
(dokumenti është korrektuar nga pikëpamja gjuhësore)