Nga Kastriot Dervishi
Ironikisht dy të dënuarat me vdekje nga komunistët në vitin 1945 janë një çame dhe një minoritare greke. Për asnjërën prej tyre nuk rezultojnë prova që të përligjin dënimet ekstreme të dhëna ndaj tyre. Theodhora Kristaq Kristaj, 22 vjeç nga Derviciani i Dropullit, me profesion shërbëtore, u akuzua si e përfshirë në ekzekutimet e Persefoni Kokëdhimës dhe Bule Naipit, pavarësisht se në të dy rastet kishte qenë e burgosur prej atij që e kish punësuar, Idriz Jazos. Ajo kishte qenë e martuar prej 3 vjetësh me Kadri (ose Vasil) Sinanin nga Tepelena e për këtë arsye në disa dokumente mban mbiemrin e tij. Jetonte me të në Dervician, deri në sëmundjen e rëndë të bashkëshortit. Më pas fejohet me Anastas Çanin nga Kudhësi, ish rreshter i xhandarmërisë në kohën e Idriz Jazo. E ngelur pa ushqim, e pa përkrahje, në prill 1944 fillon punë si shërbëtore (bënte gjellët dhe lante rrobat) te qarkkomandanti i xhandarmërisë Idriz Jazo. Po në këtë kohë, Idrizi e emëroi roje të burgut për gratë. Ajo u arrestua më 4.3.1945 në një spital të Peshkopisë. Më 11.4.1945 u pyet përpara komisionit hetimor të Gjirokastrës. Këshilli Gjyqësor Ushtarak i Komandës së Qarkut Gjirokastër e gjykoi me akuza të rënda. Pavarësisht moshës, tregoi dinjitet dhe nuk pranoi asnjë akuzë se kishte lidhje me dy varjet e vajzave në Gjirokastër. Me vendimin nr.24, datë 20.6.1945 u deklaruar fajtore si “kriminele lufte”, “bashkëpunëtore e aparatit terrorist”, “armike e popullit”. Më 26.6.1945 dënimi me vdekje u miratua nga Enver Hoxha. Vendimi u ekzekutua në vendin ku ishin varur të Kokëdhima dhe Naipi. Organizatori i vërtetë i varjeve, Idriz Jazo Sinavani më 16.3.1945 u dënua me vdekje, me varje, nga Gjykata Ushtarake e Korpusit të 2-të Gjirokastër.
Pjesë nga deklarimet në hetuesi
Bulen e ka varur Musa Rexho (“Maçoku”), një Alim nga Kuçi, mbiemrin nuk ia di dhe një farë Lulo nga Kuçi. Unë nuk kam marrë pjesë në varjen e saj. Kam qenë atëherë e burgosur (nga Idriz Jazo-shënim) për shkak të Gole Bezatit (ka qëndruar një muaj e burgosur-shënim). Di vetëm se në qafë litarin ja hodhi Musai, ja ka tërhequr Lulua me Alimin dhe Idriz Jazo që u ndodh aty e shtyti. Riza Skënderi nuk ka qenë në varje, megjithëse Bulja shpresonte se ai do ta shpëtonte. Rustem Skënderi nuk shkoi në vendin ku u var Bulja (ditën që e mori për ta varur), vetëm i ra një pëllëmbë në oborr te shtëpia ku qe burgu i xhandarmërisë. Sahatin Bules nga dora ia ka marrë “Maçoku”. Atë shoqen tjetër nga Qeparoi e kanë varur po këta persona, por nuk di hollësira se isha e sëmurë dhe nuk më la i fejuari im Anastan Çani, mbasi ky e kishte kushërirë (Persefoni Kokëdhimën-shënim). Ai më tha se po të më kërkonin, të mos shkoja.