Nga Kastriot Dervishi
Në Shkodër, pavarësisht goditjeve të mëdha në vitet 1945-1948, qëndresa antikomuniste ishte nëpërmjet krijimin të dy grupeve opozitare, njërin që ishte në proces formësimi si “Përpjekja shqiptare” me Bardhosh Danin kryetar dhe tjetri me emrin Sociademokrat i drejtuar nga mësuesi Mark Gjergj Shllaku. Organizata e krijuar nga Marku kishte përgjegjës për propagandën, financën, informacionin, rininë dhe punët me fshatin. Lidhja fillestare e Markut ishte me dy të arratisur, të vëllanë Hilën dhe Ndoc Mirakën (vrarë më 5.5.1950).
Aktiviteti i Mark Shllakut shihet nga viti 1946 në bashkëpunimin e tij me Kolec Pikolinin, kryesisht në hedhje traktesh. Në vitin 1947, ky grup ishte në lidhje edhe me gjimnazistët e Shkodrës, ndaj të cilëve në atë kohë u zhvillua edhe një proces i madh gjyqësor. Aktiviteti i grupeve u spiunua. Veprimtaria e organizatës kishte ngelur në aspektin ndërgjegjësues agjitativ, kryesisht nëpërmjet trakteve, pjesë e një lufte qëndrese. Numri i anëtarëve të saj ishte i kufizuar. Kësisoj akuzat e bëra nuk përputheshin me asnjë të vërtetë. Mark Shllaku u arrestua më 9.8.1948. Arrestimi i tij, u bë shkas që të mos kapeshin elementët e tjerë të dyshuar. Pjesëtarë të grupit në parë, Bardhosh Dani, Mark Caca, dhe Ibrahim Dërguti, pasi kuptuan se ishin zbuluar nga Sigurimi u nisën drejt kufirit, por u vranë në gusht 1948. Po ashtu edhe elementë që ishin në lidhje me Markun si Martin Camaj, u arratisën dhe u larguan nga Shqipëria.
Akuza e ngritur ishte se pjesëtarët e organizatës kishin synuar “kryengritje të armatosur”, “agjitacion e propagandë”, si dhe të tjera, shabllon në të gjitha rastet, që nuk rezultojnë të provuara. Akuza mbështetej në bazë të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Për fajet penale kundra shtetit e popullit”. Pyetësinë e zhvilloi nëntoger Ali Xhunga, një emër i njehur në proceset e Shkodrës, i sjellë nga Pavari i Përmetit. Ky përveç një kursi Sigurimi në Bashkimin Sovjetik, nuk kishte arsim cilësor. Mark Shllaku shprehet fare qartë në hetuesi se nuk i pëlqente ky model sepse adhuronte atë anglo-amerikan. Prokuror i procesit ishte ish fashisti Namik Qemal Ahmetaj nga Progonati i Tepelenës. Në vitet 1940-1942 ky kishte milituar me përkushtim në radhët e Partisë Fashiste dhe tani që kjo nuk ekzistonte më shihte fashizëm te të tjerët. Ai e përcaktonte organizatës socialidemokrate si “fashiste”.
Gjykata Ushtarake e Tiranës me veprim në Shkodër, e drejtuar nga kapiten I Vangjel Kocani, me vendimin nr.110, datë 29.7.1949, i deklaroi fajtorë Mark Shllakun dhe Kolec Pikolinin duke i dënuar me vdekje. Ndue Gjomarku u dënua me 20 vjet, të tjerët. Me vendimin nr.124, datë 26.8.1949 Gjykata e Lartë Ushtarake e drejtuar nga nënkolonel Bilbil Klosi, me pjesëmarrjen e prokurorit major Bexhet Mema, la në fuqi vendimin për Mark Shllakun dhe e ndryshoi atë për Kolec Pikolinin, të cilin e dënoi me 20 vjet burgim.
Më 27.8.1949 Bilbil Klosi i shkruante Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare që Mark Shllakut të mos i falej jeta. Shkresën e përcjell më 14.9.1949 zëvendësministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hysni Kapo, i cili i rekomandon Presidiumit të Kuvendit Popullor, të mos i falë jetën Mark Shllakut. Si përfundim, në mbledhjen e datës 8.10.1949, Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi refuzimin e faljes së jetës. Mark Shllaku u pushkatua më 30.10.1949. I ndërgjegjshëm për fundin e jetës së tij, ai la amanetin (tashmë i bërë i njohur), në të cilin thuhej ndër të tjera se donte të prehej në një varr të njohur. Për këtë qëllim, në këmbë kishte lidhur një llamarrinë.
I mbijetuari i kësaj historie Kolec Pikolini, u arratis nga kampi i ofiçinës së MPB-së në Tiranë më 21.8.1952. U largua në Jugosllavi e më vonë u vendos në SHBA ku vdiq para pak muajsh.