Nga Kastriot Dervishi
Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar i përbërë nga disa persona formalisht u zgjodh në Pezë ditët e mbledhjes së atjeshme në 16-18 shtator 1942 (u quajt mbledhja e parë). Për gati një vit ai nuk u mblodh asnjëherë. Kryetari i tij, kuestori Kamber Qafmolla nuk e drejtoi asnjëherë atë. Disa anëtarë të këtij këshilli, të gjithë komunistë dhe Abaz Kupi, u mblodhën vetëm njëherë në 4-10 korrik 1943 për të zgjedhur shtabin e përgjithshëm të ushtrisë. Nuk ka asnjë organizim apo mbledhje tjetër. Asnjë organizim “pa dallim feje, krahine dhe ideje”. Ai që pretendon se paska ndodhur një gjë e tillë, veçse emeton gënjeshtra. Konferenca e 2-të e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar u mbajt në Labinot më 4-9 shtator 1943. Ajo zyrtarizoi luftën civile dhe zgjodhi këshillin e ri të drejtuar nga Omer Nishani. Mirëpo ende Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, nuk quhej “Antifashist”. Vetëm në kongresin e Përmetit, pra më 24-28 maj 1944, gati në mbarim të luftës, u shtua fjala “Antifashist” te Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Gjithsesi, vendimet e Përmetit për mungesë vule janë nënshkruar me vulën e vjetër ku mungon fjala “Antifashist”. Në mbledhjen e dytë të Beratit, në 23 tetor 1944, u përdor një vulë e re ku janë shtuar fjalët “ANÇL” që nënkuptonte fjalën “Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Nga vula e vjetër është hequr shqiponja dhe është zëvendësuar me yllin, i cili mendohej të ishte kuq, pavarësisht se nuk e realizonin dot atë. Me vendosjen e komunistëve në pushtet në Tiranë, vula ndryshoi sërish. U sistemuan germat e emërtesës, u rivendos shqiponja, por mbi të si kapele, edhe ylli. Struktura Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, me anë të një kryesie do ishte në rolin e një presidence deri në janar 1946 kur u miratua Presidiumi i Kuvendit Popullor, nën shembullin e Presidiumit të Sovjetit Suprem. Emërtesa nuk ishte më me fjalën “fashiste”, por në dokumente, vijoi deri në fillim të viteve ’50 përshëndetje jugosllave “Vdekje fashizmit-liri popullit”. Nga shikimi i gjithë dokumentacionit të trashëguar, rezulton se kanë qenë antifashistë pasi fashizmi kishte ngordhur e nuk kishte asnjë shans të ngjallej më.