Nga Kastriot Dervishi
Rezerva ndaj Mihal Durit ka pasur edhe vetë Enver Hoxha. në raportin justifikues që i dërgohej Byrosë Për Mihal Durin thuhej se ishte shquar për “guxim, trimëri dhe heroizëm”, si komunist i vendosur dhe sekretar i organizatës së partisë ishte vranë në kodrat e Vaqarrit (diku tjetër thuhet në një fshat) duke çarë rrethimin. Në mbledhjen e datës 17.11.1969, Enver Hoxha thotë si vijon: “Për Mihal Durin jemi dakord? Ky ka qenë pak anarkist, ishte shok u ngushtë i Misto Mames, por ca ndryshe nga ai”. Por nga nevoja për të bërë “heronj” që do ishin për propagandë monumentale, u miratua dhënia e titullit pas vdekjes.
Mihal Duri në dokumentet e kohës dhe libra
Erdhi në Tiranë dhe punoi në shtypshkronja. Bëri pjesë në njësitin gueril të Tiranës. më 27.9.1939 i drejtohej Partisë Fashiste me ankesë kundër pronarit të shtypshkronjës “Luarasi”. Shkruante dëshironte paratë pasi do ikte për të mësuar në Itali. Në botimin “Heronj të luftës antifashiste nacionalçlirimtare”, Tiranë 1986, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, në faqet 287-293, flitet për Mihal Durin, por jo letra që i drejton Partisë Fashiste. Në botimin e brendshëm të Arkivit për dëshmorët dokumentet janë të plota. Në librin “Yje të pashuar”, volumi 1, faqe 68, nuk jepet asnjë fakt rreth vdekjes së anarkistit Mihal Duri. Sipas dokumenteve, Mihal Duri është vrarë mbrëmjen e 20-21 gushtit 1942 në fshatin Damian teksa po priste linjën telefonike Tiranë-Elbasan. Në aksion ishte së bashku me Ramazan Muzakën dhe Nuri Hutën. Sipas raportit të zëvendësdrejtori të përgjithshëm të Policisë, Shyqyri Borshit, për Zyrën Politike të MPB-së më 6.9.1942, identifikimi i kufomës është bërë më vonë. Sipas raportit të datës 26.8.1942 të prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti, u identifikua se i vrari ishte i komunisti i arratisur Mihal Duri, lindur në Erind të Gjirokastrës në vitin 1916, i akuzuar më parë për vendosje eksplozivi në godinën e shtypshkronjës “Tomori” dhe atentatet ndaj toger Man Kukaleshit, policit simon Orishit, etj.Evidentohej edhe fakti i prerjes së telave të telegrafit në rrugën e Elbasanit. Identifikimi i kufomës ishte bërë prej nënës dhe motrës.