Deklarata e bashkëpunimit me “material shtrëngues”

E mërkurë, 08 Janar 2020 16:42

Nga Kastriot Dervishi

Ky është modeli i nënshkrimit të një deklarate me material shtrëngues. Këto lloje rekrutimesh ndodhnin kur personi ishte i arrestuar sekret, i internuar ose burgosur. Kandidatit i bëhej një presion i jashtëzakonshëm se do burgosej, zgjatej burgimi, etj, se mund të kishte pasoja mbi anëtarët e familjes, etj. Rasti i mëposhtëm i takon një të arrestuarit të njohur. Ai pranoi të nënshkruajë në paraburgim këtë deklaratë bashkëpunimi. Posa e nënshkroi, komunikoi me personin që duhej të “spiunonte” dhe të dy u arratisën pa i ndodhur asnjë. Nënshkruesi u bë një personalitet i diasporës shqiptare dhe u ndoq (aq sa dinte të ndiqte kjo armë) nga Sigurimi deri në vdekje.

***

Vdekje fashizmit

Liri popullit

Deklaratë

Duke u penduar sinqerisht dhe e ndjerë veten fajtor për qëndrimin tim që kam mbajtur deri më sot kundër pushtetit popullor; duke qenë mirënjohës pushtetit për bujarinë ndaj fajeve që unë kam bërë deri tani dhe duke përfituar nga rasti që më jepet për t’i shërbyer dhe unë atdheut dhe popullit tim; Betohem se duke shkelmuar të kaluarën, pranoj me vullnet të plotë të jem bashkëpunëtor i organeve të Sigurimit. Do të vë gjithë forcat e mija në shërbim të popullit, duke zbuluar dhe luftuar të gjithë armiqtë e pushtetit popullor, për t’u bërë kështu një qytetar i denjë i Republikës Popullore të Shqipërisë. Vigjilent dhe gjithmonë i gatshëm për ruajtjen e sektorit ku punoj, jap fjalën e nderit se do të plotësoj me ndershmëri, besnikëri dhe përpikëri detyrat që do më ngarkohen, për zbulimin e armiqve cilët do qofshin , kudo qofshin dhe ku ta lypë nevoja për të provuar kështu me punë dhe konkretisht pendimin për të kaluarën e keqe dhe për të qenë i denjë për dashurinë e popullit tij. Do ruaj me skrupulozitetin më të madh sekretin shtetëror dhe konspiracionin në punë, do jem i bindur, i sinqertë dhe korrekt në punë ndaj eprorëve. Dënimi i ashpër i ligjeve të pushtetit popullor le të godasë mbi mua pa asnjë mëshirë, në rast se me qëllim e prish fjalën e dhënë dhe neglizhoj detyrën karshi popullit, atdheut dhe republikës.

Login to post comments