1990/Demonstrata e Shkodrës u filmua

Diel, 12 Janar 2020 17:56
Busti i Stalinit në Shkodër në vitin 1990 Busti i Stalinit në Shkodër në vitin 1990

Nga Kastriot Dervishi

Të shtunën në darkë, regjimi kishte marrë masat të parandaluar demonstratën e nesërme, e diel 14 janar 1990. Dega e Punëve të Brendshme dhe Komiteti i PPSH-së kishin dërguar njerëzit e vet të ishin të pranishëm këtu. I gjithë grumbullimi do filmohej në mënyrë të fshehtë, material i cili nuk dihet ku ka përfunduar. DPB Shkodër hapi dosjen nr.126, ndërsa Hetuesia e Përgjithshme atë nr.113. Hetuesia i vlerësonte pjesëmarrësit në rreth 2000 veta. Rolin kryesor në tubimin e 14 janarit e kishte Rini Monajka.

Intensiteti kryesor i veprimeve shihet në datat 13-16 janar 1990. Ndërsa vijonin veprimet për “zbërthimin” e atyre që ishin arrestuar (Dedë Kasneci ishte në pozita të forta mohuese në hetuesi), veprimi kryesor mbeti vëzhgimi i afërt i atyre që do i afroheshin bustit të Stalinit. U vendos që elementët më aktivë, që ishin filmuar në datën 14 afër bustit, “disa përpunime me të dhëna të mprehta, të goditeshin”.

Nga 21 personat e arrestuar, 7 prej tyre pranuan qëllimin e pjesëmarrjes, ndërsa shumica jo.

Në datat 13-16 pati rritje të fletushkave e parullave antikomuniste, ndërsa më 15 u hodh pas Komitetit të Partisë një dinamit i përgatitur, i cili nuk realizoi plasjen “për vigjilencë të lartë të policit të shërbimit”. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi relatonte se qëllimi i demonstratës kishte qenë rrëzimi i bustit të Stalinit dhe më pas takimi me sekretarin e parë të Komitetit të PPSH-së, Xhemal Dymylja, të cilit protestuesit do i kërkonin liri shtypi, fjale, demokraci, etj. Në të gjitha shënimet vihet re se frymëzim kryesor kishin qenë zhvillimet në Lindjen komuniste. Hetuesia e përqendroi çështjen e saj te personat pjesëmarrës në demonstratë, si dhe ata që kishin shkruar parullat e këtyre ditëve.

Të dhëna për demonstratën e heshtur të Shkodrës të 14 janarit 1990

-U ndaluan 26 persona

-U dërguan në gjyq 10 persona

-U rekrutuan me material shtrëngues 3 persona

-U kryen 40 veprime me teknikë operative (TO)

 

(vijon tematika)

Modifikuar më Diel, 12 Janar 2020 18:21
Login to post comments