1991/Shqipëria në ditët e para pas rrëzimit të shtatoreve të diktatorit

Premte, 21 February 2020 15:09

Nga Kastriot Dervishi

Rrëzimi i shtatoreve e busteve të Enver Hoxhës gjallëroi aktivitetin e forcave antikomuniste, por në të njëjtën kohë, mobilizoi edhe forcat enveriste që për fat të keq përbënin një shumicë të konsiderueshme. Indoktrinimi i thellë komunist kishte sjellë një pasojë të tillë që megjithëse vendi ishte falimentuar ekonomikisht, shumica nuk donte ndryshime apo dënim të krimeve të komunizmit. Këtë Shqipëria do ta vuante jo vetëm në ato vite, por gjithnjë. Të vjetrën donin ta mbanin ata që kishin pasur privilegje dhe pjesa tjetër që e gozhduar nga injoranca dhe propaganda, e kishte të vështirë të dilte te e vërteta. Komunikimet e para për datat 20-22 ishin ato të mëposhtmet.

Në komunikatën nr.42, datë 21.2.1991, të MPB-së njoftohen disa ngjarje të një dite më parë.

-Në Tiranë u ndalua Krenar Shefik Aliu, 25 vjeç sepse kishte goditur me gurë një punonjës policie.

-Në Durrës ishin mbledhur punonjës të ndërmarrjeve dhe rrëzuan bustin e Enver Hoxhës që ndodhej në portin detar.

-Në Fier, “gjatë veprimeve të forcave të errëta për heqjen e bustit të Enver Hoxhës u plagosën dy policë”.

Në komunikatën nr.43, datë 22.2.1991, jepen dy njoftime të rëndësishme nga rrethet.

-Skrapari: “Më datën 21.2.1991, rreth orës 10.00 në Çorovodë, Poliçan dhe në Helmës, u grumbulluan njerëz dhe kërkonin armë duke thënë “duam armë të shpëtojmë mëmëdhenë”. Hidhnin parulla kundër presidentit. Ushtarët rezervistë që u mobilizuan për t’u prirë në Tiranë me shërbim, nuk pranonin të hipnin në makina duke thënë se s’kemi kë mbrojmë”.

-Burreli: Më datën 21.2.1991, të dënuarit e burgut të Burrelit, kanë marrë veprat e shokut Enver e i kanë djegur në mënyrë demonstrative në mjediset e brendshme të burgut. Kanë nxjerrë jashtë personelin e shërbimit dhe kanë thyer tulla për të qëlluar policët e shërbimit. Kërkojnë të dalin jashtë duke thirrur “qeveria është rrëzuar, pse na mbani brenda”. Nga këta të burgosur ka që janë bërë listat për lirim”.

Në këtë njoftim, ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, lë këtë shënim, që është i fundit i detyrës së tij: “Pse nuk goditen. Çfarë bën Edmondi?”. Ishte fjala për drejtorin e Drejtorisë Zbatim Vendime Penale, Edmond Caja.

Login to post comments