Dokumenti i luftëtarit të Ballit Kombëtar dhe dënimi i tij në vitin 1958

Diel, 15 Mars 2020 17:26
Dokumenti i luftëtarit të Ballit Kombëtar Dokumenti i luftëtarit të Ballit Kombëtar

Nga Kastriot Dervishi

Isan Mit’hat Vehbi, i martuar me 3 fëmijë, ishte 54 vjeç kur u arrestua më 17.3.1958. U akuzua se “në kohë dhe me persona të ndryshëm ka komentuar situatën e jashtme dhe të brendshme në favor të shteteve imperialiste dhe në dëm të shtetit tonë”. Në shtëpi iu gjetën “libra, fotografi, me përmbajtje zogiste e fashiste” si dhe dy armë lufte italiane. Midis të tjerash iu gjet edhe ky dokument i rrallë i Ballit Kombëtar, “letërnjoftimi i luftëtarit të lirisë”. Në vendimin e gjykatës, midis të tjerash thuhet:

“Shpresonte në ndryshimin e shpejtë të situatës në vendin tonë e cila do vinte sipas tij dhe me anë të luftës që do të bënin imperialistët. Disa ngjarje me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, i pandehuri i ka komentuar në favor të imperializmit. Konkretisht ky priste fillimin e luftës nga ana e Gjermanisë Perëndimore e shtytur nga imperializmi. E ka quajtur si fillim të luftës së tretë botërore dhe rrjedhimisht ka përhapur lajme se agresioni kundër Egjiptit ishte fillimi i luftës së tretë botërore. Kundërrevolucionin në Hungari e ka komentuar të drejtë, duke nxjerrë si forcë të këtij kundërrevolucioni popullin i shtytur nga gjendja ekonomike e vështirë”. “gjendjen politike të vendit tonë e ka quajtur të turbullt. Ai është shprehur se ka mjaft të pakënaqur. Kolektivizimin e bujqësisë e ka komentuar në mënyrë të shtrembër duke thënë se fshatarësia vuan dhe se ajo nuk ngopet me bukë. Gjendjen e përgjithshme ekonomike e ka quajtur shumë të vështirë. Ai është shprehur se në pushtetin tonë ka imoralitet. Në vitin 1951 në prani të disa personave të tjerë me përbërje armiqësore është bashkuar me dollitë e ngritura për udhëheqësit reaksionarë të shteteve imperialiste dhe ka marrë pjesë në komentimin e situatës në dëm të vendit tonë”.

Me vendimin nr.9, datë 24.5.1958, kryesisht në bazë të nenit 72 të Kodit Penal (agjitacioni e propaganda), Gjykata e Qarkut Gjirokastër, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 13 vjet burgim e konfiskimin e pasurisë. U la në fuqi me vendimin nr.96, datë 7.7.1958 të Këshillit Gjyqësor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Modifikuar më Diel, 15 Mars 2020 20:52
Login to post comments

Lajmet e fundit

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

Politikë

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

  Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka deklaruar se me vendimin e marrë të enjten në Kuvend për mos dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës, ka rënë...

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

Politikë

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

    Anëtarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja ka bërë një kallëzim penal për Taulant Ballën dhe individë të tjerë, të cilët sipas Kalasë kanë kryer shkelje nga më të rëndat...

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

Kronikë

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

  Një aksident rrugor ka ndodhur në ishullin grek të Santorinit, ku viktima është një 29-vjeçar me origjinë shqiptare. Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur kur motori që drejtohej nga 29-vjeçari...