Nga Kastriot Dervishi
Në vitin 1986 Drejtoria Juridike e Këshillit të Ministrave botoi librin “Përmbledhës i përgjithshëm i legjislacionit në fuqi të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, 1945-1985”, të ndarë në dy volume. Libri përbëhej nga 18 volume të ndarë sipas fushave në lidhje me planin, financën, industrinë, bujqësinë, drejtësinë, etj. Në fund, ishte përpiluar një tregues kronologjik i ligjeve në fuqi. Binte në sy një fakt interesant. Ligji më i hershëm që ishte në fuqi nga viti 1945 ishte vetëm një: nr.76, datë 26.5.1945, “Për rregullimin e qirave të banesave”, miratuar nga Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ). Asnjë ligj tjetër i miratuar nga KANÇ-i nuk kish munduar t’i rezistonte kohës. As kushtetutat e komunizmit madje. Çështja e qirave ishte në fakt e zgjidhur me Kodin Civil të vitit 1928. Miratimi i këtij ligji ishte krejt i panevojshëm.. megjithatë, ligji rezistoi në vite me një forcë të habitshme. Ligji përbëhej nga 34 nene. Shteti ndërhyri në përcaktimin e afatit në kohë të pacaktuar. Kreu i parë i ligjit ishte “kontratat, çmimet maksimale dhe dënimet” dhe kreu i dytë “dispozitat për caktimin e qirave”. Në fund ishte bërë një lloj ndarje zonash për qytetin e Tiranës. Së fundmi, na nxorën mallin me aktin e fundit normativ, duke u kthyer te praktika e Këshillit Nacionalçlirimtar. Jo për ndonjë gjë, por edhe në vitin 1945 nuk kishte parlament.