Eksploziv bustit të Enver Hoxhës në Shkodër, 16 prill 1990

E mërkurë, 15 Prill 2020 10:39

Nga Kastriot Dervishi

Ngjarja e hedhjes së dinamitit mbi bustin e Enver Hoxhës në Shkodër, ngeli pa autor. Sado u sollën informacione, nuk u gjet kurrë kush e vendosi. Për arsye rastësore, busti i Hoxhës shpëtoi, por ama veçse për disa muaj. Bashkëpunëtori “Skulptori”, raportonte se kish dëgjuar bisedën e një personi që nuk e identifikonte dot. Dyshohej se autori ishte punonjës në ndërmarrjen metalike. Dyshohej për Tom Poljetën dhe Nikoll Grishajn. Një pjesë e raportit të datës 23.4.1990 e Dega e Punëve të Brendshme për këtë ngjarje drejtuar MPB-së dhe Komitetit të PPSH-së Shkodër:

“Më datën 16.4.1990, rreth orës 6.30, nga një person i panjohur u vendos një çantë me dinamit në bazamentin e bustit të shokut Enver Hoxha në lulishten përballë Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit. Kjo u konstatua fillimisht nga punëtorja e gjelbërimit Liza Bushista, e cila pasi vuri re se nga çanta dilte tym, bërtiti duke i kërkuar ndihmë policit të shërbimit Qamil Meta, i cili ndërhyri menjëherë duke e hedhur çantën rreth 30 metra larg bustit ku dhe u bë plasja. Njëkohësisht polici u vu në ndjekje të autorit, por ky i fundit, pas alarmit të dhënë nga lulishtarja dhe polici, vrapoi e u bashkua me një persona tjetër që priste në cepin e lulishtes dhe të dy së bashku u larguan në drejtim të paditur...

Në datën 18.4.1990, rreth orës 20.30, nga persona të panjohur u hodh në cepin anësor të terrorit të Degës një copë dinamit që nga përllogaritjet e plasjes rezulton të ketë qenë gjysmë kallëpi.

Nisur nga versioni që ngjarjet janë të lidhura e vazhdim i njëra-tjetrës, si dhe mbi bazën e të dhënave fillestare, u hartua plani i masave operative për zbulimin e autorëve dhe parandalimin e akteve të tjera që mund të ndërmarrë elementi armik. Ndër të tjera, në këtë plan u parashikua detyra për forcimin e masave për sigurimin e objekteve të rëndësisë së veçantë e në veçanti të busteve, Komitetit të Partisë dhe Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit, për aktivizimin e agjenturës dhe vijës së masave për kontrollin e elementit armik e keqbërës, e në veçanti të përpunimeve dhe lidhjeve të grupit që ndiqet me problemin “Korbat”, duke parashtruar edhe thirrjen, pyetjen dhe kryerjen me ta të veprimeve me teknikë operative”.

Login to post comments