Nga Kastriot Dervishi
Për gjeneralët dhe kolonelët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, u bë i detyrueshëm arsimi 7-vjeçar me platformën e punës operative e organeve të punëve të brendshme të vitit 1954. Deri atë çast, shumica e gjeneralëve ishte me arsim fillor. E shumta kuadri mund të kishte ndonjë kurs jugosllav apo sovjetik. Por kurrsesi më shumë. Sepse në thelb, regjimi komunist ishte sundimi i injorantëve mbi të diturit. 10 vjet pas vendosjes së regjimit, kur ata me arsim fillor ose pa arsim fare kishin korrur apo burgosur gjithë inteligjencien e vendit, Partia e Punës vendosi rregulla për kuadrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Por këtë rregull nuk e bëri ligj, por vetëm një dokument partiak e të fshehtë. Po ashtu rregullohej mënyra e martesës së kuadrove, në mënyrë që kuadri të ishte plotësisht i politizuar dhe i verbër. Domethënë nuk mund të pretendohej nivel tjetër kulturor veç atij minimal për kuadrit efektiv të MPB-së.
1954
16-Arsimi 7-vjeçar është i detyrueshëm për të gjitha kuadrot e organeve dhe reparteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, atje ku janë mundësitë praktike. Për t’u martuar një kuadër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i çfarëdo funksioni qoftë, duhet më parë të vërtetojë qëndrimin politik të vajzës që ka zgjedhur për bashkëshorte.
1958
17-Arsimi 7-vjeçar është i detyrueshëm për kuadrin efektiv të organeve dhe reparteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme atje ku janë mundësitë praktike. Për t’u martuar, një kuadër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i çfarëdo funksioni qoftë, duhet më parë të vërtetojë qëndrimin politik të kandidatit që ka zgjedhur për bashkëshort. Për kuadrot e Sigurimit të Shtetit është e detyrueshme edhe marrja e pëlqimit të këtyre organeve përpara martesës.