Nga Kastriot Dervishi
Karakatina komuniste, d.m.th. shteti rrumpallë i ndërtuar në Shqipëri duke eksperimentuar kohë pas kohe, mëtonte se ishte shtet që zbatonte ligjet. Mirëpo as kushtetuta dhe as ligjet nuk zbatoheshin siç ishin, pavarësisht se edhe ato kishin probleme të shumta ashtu siç ishin. Ata që cilësoheshin “armiq” nuk kishin të drejtë të trajtoheshin njësoj. Fshehtas partia vendoste që ndaj tyre mos zbatohej ligji. Në praktikë, platforma e fshehtë e MPB-së, cenonte e thyente kushedi sesa ligje. Ja një pohim në një mbledhje të Byrosë Politike i anëtarit të saj, njëkohësisht edhe zëvenddëskryeministër e ministër i Punëve të Brendshme.
Pjesë nga diskutimi i datës 12 shkurt 1985 në Byronë Politike
Hekuran Isai: Në platformë flitet për çështjet operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme se po të jetë për shkelje ligji, kjo është e qartë, ligji shkelet. Ligji nuk të lejon as ta përgjosh, as ta survejosh, as t’i heqësh postën tjetrit, po këtu bëhet fjalë për elementët armiq, bëhet fjalë për një përjashtim nga ligji, për të cilin merret miratimi i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë.