Nga Kastriot Dervishi
Në një letër të datës 4 nëntor 1943, të përgjegjësit Tasi Mitrushi për vullnetarët nga Lini që shkonin në batalionin “Reshit Çollaku”, shkruhej motivi i cili kishte motivuar komunistët në luftë. Atdheu nuk ka lidhje me motivin e tyre, por vetëm Bashkimi Sovjetik, sipas “udhëzimeve” që kishin. Letra e mëposhtme duhet vlerësuar për sinqeritetin mbase edhe të tepruar të saj. Pas lufte, Tasi Mitrushi ishte drejtues i rëndësishëm dhe i përjetshëm në Komitetin Qendror të PPSH-së.
Letra
Shokë të grupit të Linit! Partia kërkon prej jush të shkoni në batalionin “Reshit Çollaku”. Goditja që iu bë Bashkimit Sovjetik nga ana e hordhive hitleriane, hodhi gjithë partitë komuniste të botës në krah të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, e cila përmban tokën e saj fituar me gjakun e proletariatit, të zbukuruar me djersën e punën e tyre. Kërkohet që gjithë komunistët të hidhen në luftë të paprerë për të shkatërruar ushtritë skllavëruese, për të siguruar paqen dhe lirinë ndër shtete të lira demokratike e popullore. Shembull është lufta nacionalçlirimtare, e cila është një nga udhëzimet që kemi.
Vdekje fashizmit, liri popullit