1945/“Jugosllavia mbron me mish e me shpirt çështjen tonë”

Premte, 29 May 2020 14:52

Nga Kastriot Dervishi

Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i zgjedhur në kongresin e Përmetit, kryente rolin e një trupi legjislativ të pazgjedhur. Ai zhvilloi tre mbledhje plenare: në Përmet në maj 1944, në Berat në tetor 1944 dhe në Tiranë në shtator 1945. Gjatë kohës që KANÇ-i nuk ishte mbledhur, kryesia e tij nxirrte ligje e vendime. Mbledhja e tretë e KANÇ-it u zhvillua më 25-29 shtator 1945 në Tiranë, në sallën e Parlamentit (teatri i kukullave sot). Punimet u drejtuan nga kryetari Omer Nishani dhe nënkryetarët Koçi Xoxe, Mustafa Xhani, Hasan Pulo. KANÇ-i votoi të gjitha ligjet dhe vendimet e Kryesisë së KANÇ-it deri këtë kohë. Një tjetër rivotim për gjithë ligjet do të bënte Asambleja Kushtetuese kur të mblidhej. Interesant këtë herë ishte fjalimi i parë i Enver Hoxhës si kryeministër. Ja një pjesë e këtij fjalimi:

“Me Jugosllavinë federative miqësia jonë e ngushtë po zhvillohet dita-ditës. Marrëdhëniet kulturale dhe tregtare po zhvillohen në një shkallë të gjerë dhe me një mirëkuptim që mund të merret shembull nga të tjerët. Miqtë tanë jugosllavë nuk na kanë thënë kurrë jo për sa u kemi kërkuar. Në momentet kritike të dimrit, ata na kanë furnizuar me drithë dhe me sende të tjera të nevojës së parë për të shpëtuar popullin tonë nga uria (duartrokitje). Te mareshali i Jugosllavisë, Tito, ne kemi një nga miqtë tanë më të mirë dhe më të sinqertë (duartrokitje). Jugosllavia është i pari shtet që na njohu dhe është një nga shtete që mbron me mish e me shpirt çështjen tonë. Këtë miqësi që e ndjen si i gjithë populli ynë ashtu edhe popujt e Jugosllavinë, ne përpiqemi ta forcojmë sa më shumë, pse kjo miqësi është një nga faktorët e mbrojtjes së paqes në Ballkan dhe një shtyllë e shëndoshë për paqen e botës”.

Login to post comments