Sot shënon 21 vite nga ndalja e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe. Sulmet nisën në 24 mars, për t’u ndalur pas 78 ditëve.
Kujtojmë se sekretari i asaj kohe i NATO-s, Javijer Solana, më 10 qershor 1999 lëshoi urdhrin për ndalimin e bombardimit, ndërkohë Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe nisi largimi i forcave serbe. Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë u vendos misioni i përkohshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.