Si u vranë robërit italianë me urdhër të Dushan Mugoshës

Hënë, 20 July 2020 16:16

Në traktin e pestë, Xhelal Staravecka tregon se si me urdhër të Dushan Mugoshës kishte vrarë robërit italianë. Përveç kësaj, ai përshkruan natyrën kriminale të formacioneve komuniste. pavarësisht se gjuha letrare e Staraveckës është e varfër, ajo është e pasur këtë rast.

Trakti i pestë

Ditët kalonin dhe terrori bëhesh më i madh. Viktima të pafajshme kalonin nën zjarrin e armëve tona. Çdo partizan ishte bërë bishë e tërbuar dhe s’ngopej me gjak të njeriut dhe sidomos të shqiptarëve që të derdhte orë e çast kush më shumë. Kur vinte darka, në çdo grup partizan dëgjoheshin rrëfime mbi kasapllëkun që kishin kryer atë ditë. Njeri thoshte “i rashë kështu me thikë”, tjetri “e preva kështu”, një grup më tej: “i torturova kështu”, e ku të di unë sa e sa rrëfime rreth aksioneve mbi vrasjen e zhdukjen e shqiptarëve fakir fukarenj që i kapnin në çdo vend. Ishte puna që kjo brigadë të kishte brenda prej të parit deri te i fundit kasapët e popullit shqiptar. Dhe me të vërtetë kur vrisnim ndonjë fatkeq as dora na dridhesh as fytyra na ndërrohesh. Vaj hallit ku po shkonim. Dushani i përgatiti xhelatët e Shqipërisë, në krye të të cilëve ndodhej vetë.

Të nesërmen e ditës të 13 të ekzekutuarve dhe të torturuarve nga Tirana po në katundin Fravesh, i shoqëruar vjen një kapiten Pustina nga Dibra, që kishte 2 xhandarë me vete. Isha tok me Dushanin kur i prunë. Ai porsa i pa, bëri një nënqeshje ironike dhe sytë e tij filluan të xixëllonin, i përngjante një tigri që i tulitur në pusi, pret me padurim gjahun që i afrohet për t’i u derdhur e ta copëtojë. I thashë: “Këtë kapiten e njoh, është nga Dibra, është njeri me taraf dhe në qoftë se neve do ta ekzekutojmë, do të na prishet puna se ka lidhje gjaku me Haxhi Lleshin”.

Dushani është shumë i hollë, atje ku i prishet puna s’ka dert sepse devijon, që devijimi në parti është i dëmshëm, por mbasi partia është në duart e tij, kush do t’i thotë se ç’bëre? Pa afruar mirë të shoqëruarit, Dushani më thotë: “Jam dakord me mendimin tënd për oficerin, por xhandarët do të na i veshin dy Partizanë!

Xhandarët fatkeq do të kalonin atje ku shkuan shokët e tyre të mëparshëm. Njeri ishte nga Martaneshi dhe tjetri nga Mirdita. U afruan, na përshëndetën alla partizançe dhe neve i ulëm. I pyetëm se nga vinin e ku shkonin. Kapiteni mori fjalën: “Kam 4 muaj i arratisur, shkova në Tiranë i fshehur dhe kur dolla mora 2 xhandarë që të më nxirrnin nga Tirana se kisha frikë nga gjermanët. Sapo dola pak larg periferisë së Tiranës, partizanët më arrestuan dhe më shoqëruan deri këtu”. I mbajtëm atë natë aty, të nesërmen kapitenin me gjithë një civil që kishte pas, e nisëm në drejtim të Dibrës, i cili na luti që xhandarët të lihen të lirë, mbasi e kishin shoqëruar atë. I dhamë fjalën të shkonte i qetë, por sapo kaloi bregun, xhandarëve ua hodhëm kllapat në duar.

Gjykoheni sa poshtërsi pa fund. Xhandarët i vramë pse ata ishin fatkeq, s’kishin ndonjë farë tarafi që neve të kishim ndonjë farë frike, ndërsa kapitenin, pse ishte njeri me taraf nuk na e mbajti ta vrisnim. Kuptojeni vetë se mëshirë nuk ka te Dushani dhe partia e tij. Ka vetëm frikë dhe kjo vërtetohet në kaq raste: kemi vrarë ata që kemi qenë të sigurt se nuk na hedhin litar ndër këmbë. Dhe s’kemi mundur të vrisnim ata që kanë qenë përgjegjës dhe pengimtarë të politikës tonë dushaniane.

Shembull: Ali Këlcyrën e kapëm jo për sytë e bukur, por për ta vramë, nuk na i mbante ta vrisnim pse qe një krahinë e tërë që u mobilizua dhe neve dushanistët shpejt e shpejt përpara kërcënimit e liruam; jo për zëmrën e butë tonë por për karakterin dhe pa shkrypolin që tek ne qëndrojnë.

Ç’kërkoni prej nesh? Jemi pritaxhinj, jemi komplotistë, kriminelë deri në thonjtë e këmbëve, besa me neve s’ka të bëj aspak, bukëshkelës deri në kulm, trathtarë pa kufi. Quo vadis ti o Shqipëri me neve, vaj halli se ku do të shkoje! Varre në çdo vend, gërmadha në çdo kënd, mjerim e zi, vuajtje pa kufi. Oh! Ç’barbarizëm kemi bërë e do të bënim. Zgjohu o popull, hiqe perden që të kemi vënë, shikona lakuriq ashtu si jemi dhe bëna gjyq ashtu si të kemi thënë. Një varr i hapur, një plagë e pa mbyllur ekziston sot. Ngrehu, ngrehu nga gjumi ti o Toskëri, dil nga errësira dhe kërko liri. Thyej prangat e hekurta, zhduki gjakatarët që nesër të gjesh prehje e qetësi.

Mbas kësaj dite, u nisëm për në Labinot, atje ku është çerdhja e këlyshëve Dushanit e Meladinit që natë e ditë me konferenca e mitingje përgatitshin varrin e Shqipërisë. Qendra e brigatës për një kohë të shkurtër qe në Labinot. Çdo njëri prej nesh bënte teza e hipoteza se ç’drejtim do merrnim. Me mënd nuk gjendesh, e di vetëm Dushani. Unë e kisha gjetur, domosdo do shkonim në Toskëri pse nga Dibra ishte mbjellë urof. Atë natë kemi ngrënë mirë dhe shumë mirë, domosdo nga bagëtitë e Dumres të konfiskuara në luftën e gjakshme të Belshit.

Partizanët thoshin: “Sikur të mos kishte ndodhur Balli, neve sharuam për të ngrënë”. Ishte e vërtetë, ishim që të gjithë elemente të grumbulluar në atë brigadë, që o me vdekje o grabitje me forcë, e kishim kaluar kohën tonë. Ishim të gjithë të hurit e të litarit, të thikës e të hanxharit. Mjerë atij që i kishte rënë loto të bënte kundra nesh. Ishte mezi i natës e sado i lodhur gjumë s’më zinte. Isha, sikur jam, akoma i tronditur thekë nga skenë e tmerrshme që luhej në fatin e kombit tonë.

Jo vetëm populli por edhe qentë po na urrenin, veç nga frika s’thonin fjalë. Shqipërisë i qe destinuar të kalojë një periudhë nga ato të mesjetës. Çudi pse të jem edhe unë një nga aktorët e kësaj drame tragjike? S’është faji i im, rashë viktimë e punës dhe politikës time. U bëra skllav e nuk çlirohesha dot. Kisha hyrë në një burg të thellë e të errët dhe asnjë dorë e mbinatyrshme nuk do më shëronte e të më nxirrte nga këto vuajtje e mjerime. Besomëni në keni ndërgjegje me vete. Doja të shpërtheja, por terrori më kishte tulitur, doja të shfryja po isha i kapitur. Ah dynja mizore, tmerr e tradhti, o jetë e zezë që na solle në këtë katandi!

Më thirrën në këtë mesnatë nga gjumi që nuk më kishte zënë dhe më thanë: “Ngreu se të duan në Shtab”. U ngrita, shkoj në një shtëpi pa dritë dhe kur kapërceva pragun njoha Dushanin me që sytë i shndritnin. Isha i trembur e të më besoni, jo nga vdekja por nga terrori. Më thanë: “Xhelal në Orenjë të Çermenikës janë 111 karabinierë italianë. Duhet të merrja batalionin e të shkoja atje. T’i vrisja se kishim nevojë për petkat e tyre për veshjen e partizanëve. Duhet të ruaja mos më shpëtonin dhe të veproja fshehurazi, se na dilte sekreti në shesh, se italianët ishin miqtë e aleatëve dhe protestonin kundra nesh, aq më tepër po të kuptohej kjo, Balli merrte një armë në dorë për të na luftuar. Çfarë del nga goja e Dushanit s’ka diskutim. Marr batalionin, shkoj në Orenjë, në qendrën e Batalionit Çermenikës e të Brigatës II që është në formim e sipër, në një pyll rrëzë një shkëmbi. Të nesërmen të 111 karabinierët, bashkë me kolonel Gamuçin në krye dhe oficerë të tjerë i mora duke ju thënë se do t’i çoj në Burrel. Mbas 2 orë udhëtimi, karabinierët i lidha, i ndava në 5 grupe dhe mbasi i zhvesha lakuriq i pushkatova. 17 i kam vrarë vetë.

Dhe në i vrava mirë bëra, pse i vrava me ndjenjë të pastër duke marrë hakrat e keqbërjeve të tyre gjatë kohës të qëndrimit në Shqipëri. Po ata faqe zezë që më nisën për një krim të këtillë më thanë vraji për rrobat. Çfarë masakre, për të veshur një njeri, vrasin një njeri! Çfarë poshtërsie! A keni parë ndonjë herë? Kjo është Partia Komuniste e Dushanit, e Meladinit dhe të këlyshëve të tyre. Çfarë komunistë të poshtër, neve që e shtojmë dashamirësinë dhe dhemburinë e njerëzimit më tej kufirit tonë. Vrasim për opinga e kuti duhani njerëz.

Ky është terrori që s’e ka parë ndonjë herë historia. Kjo është barbarizma që s’ka barazim as në të kaluarën. Në këtë gjendje ndodhemi sot që na luan mëndja, Ah, të mallkuar qofshin ata shqiptarë partizanë që ndjekin akoma gjurmët e politikës Dushanit me shokë. Thyeni, thyeni prangat; mjaft me krime e tradhtira. Gjak e gjak e nuk u ngop, tmerr e terror mbollët. Pemën që e vutë nuk e korrët. Nëm e mallkim paçin për jetë.

(Pjesë nga trakti i pestë. Teksti është korrektuar sipas gjuhës letrare)

Login to post comments