Nga Kastriot Dervishi
Në piedestalin e martirëve të vrarë nga regjimi komunist është shkruar edhe emri i Apostol Thanas Gega. Lindur më 8.4.1922 në Elbasan, me profesion nëpunës banke, pas lufte shërbeu mësues në nënprefekturat e Peqinit dhe Gramshit. U pushua nga puna sepse nuk lejoi nxënësit të nderonin me grusht si komunistë. I pakënaqur me regjimin, ai fillon të bisedojë me një grup intelektualësh si Zija Dylgjerin, Ahmet Kurtin, Salim Ceka, Makasen Bungon, Hasan Gracenin, Muharrem Qafëzezin, Nazmi Fagun, Viktor Zylfi, Virtyt Gjylbegun, Hiqmet Bumçin, Tahsim Çiftja, Ferit Baholli, Misir Voci, Kaliro Noçka, etj. Kjo veprimtari u shtri kryesisht në fushën e ndërgjegjësimit të rinisë mbi rrezikun komunist në vend. Thuhej se kishin krijuar Organizatën e Veprimit Shqipëria, e cila kish shpërndarë edhe trakte. (Grupi u zbulua nga një spiune femër e cila u burgos shumë vite më pas për çështje të tjera).
Apostoli u arrestua më 14.8.1946. U akuzua në bazë të nenit 15 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945 dhe nenit 1 të ligjit nr.21, datë 15.12.1944. Akuzohej pa lidhje edhe si “agjent i SIM-it”, për korrespondencë me Musine Kokalarin (nuk ishin takuar kurrë), etj. Aktiviteti i të rinjve interpretohej si “organizatë terroriste”. Në dosje janë administruar dy trakte të organizatës, në të cilat Enver Hoxha përmendet me emër.
Në gjyq nuk pranoi asnjë akuzë. Deklaroi se kishte qenë antifashist. Në mal nuk kishte dalë sepse ishte i vetëm dhe fukara. Më 1943 deri në prill 1945 kish punuar në bankë. Gjykata Ushtarake Elbasan, e drejtuar nga major Gjon Banushi, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten Naim Kuçit, me vendimin nr.344, datë 12.10.1946, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë. U la në fuqi me vendimin nr.143, datë 15.10.1946 të Gjykatës së Lartë Ushtarake. Më 24.10.1946 Enver Hoxha miraton dënimin me vdekje. Në mbledhjen e datës 9.11.1946, Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi t’i falë jetën. Apostol Gega u ekzekutua më 13.11.1946 në vendin e njohur të kësaj kohe për Elbasanin. Në fjalën e fundit të tij tha: “Veprimtarinë time e konsideroj ideal. Duhet të kemi lirinë e mendimit” (tekst i korrektuar pasi në këto raste, në këto lloj dokumentesh gjuha shkruhej gjithnjë keq).